Lëvizja Anastasia – një tjetër rast i ekstremit të djathtë në Gjermani

by admin
Spread the love
Demonstratë e ekstremistëve të djathtë në Gjermani

E ashtuquajtura Lëvizja Anastasia është futur në shënjestër të Zyrës për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues. Aktivitetet e tyre po mbikqyren nga autoritetet gjermane

Së pari të ashtuquajturit “Qytetarët e Rajhut” e tani edhe lëvizja Anastasia. Zyra Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues njoftoi se ka vënë nën vëzhgim aktivitetet e lëvizjes Anastasia. Ky status mundëson monitorim më të fortë të veprimtarisë së grupeve të caktuara, të dyshuara për veprimtari kundër rendit kushtetues të Gjermanisë, i cili përfshin përgjimin dhe infiltrimin e informatorëve.

Grup i ri i djathtistëve

Kjo ndodh me të ashtuquajturit “Qytetarët e Rajhut” që nuk e njohin ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë, dhe të rinjtë e partisë së djathtë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti që kaloi socialdemokratët në pushtet në sondazhet e fundit me 19 për qind të mbështetjes.

Por ndërkohë që AfD është një parti parlamentare, lëvizja Anastasia është për momentin një fenomen i ekstremizmit të skajshëm. Është një lëvizje që mban emrin e personazhit kryesor nga një roman i një autori rus dhe që i jep përparësi një jete të izoluar “në kontakt intensiv me natyrën” në periferinë e Gjermanisë Lindore.

Jeta si shenjë e besnikërisë ndaj natyrës dhe përkatësisë racore

Së fundmi, Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues në landin e Brandenburgut njoftoi se tashmë po monitoron këtë grup, i cili zotëron disa vendbanime në këtë land të Gjermanisë Lindore. Ndjekësit e kësaj lëvizjeje besojnë në kthimin në natyrë dhe në strukturat e vjetra shoqërore. Ata gjithashtu besojnë në autarkinë dhe të jetojnë të pavarur nga pjesa tjetër e botës. Në të njëjtën kohë, jeta në këto komunitete bazohet në përkatësinë e një fisi të caktuar dhe një race të caktuar.

Literatura mbi të cilën bazohet kjo lëvizje përmban, siç njofton Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues, shumë “elementë racistë, etnocentrikë dhe antisemitë”. Sipas autoriteteve, lëvizja Anastasia është veçanërisht e lidhur me personat e të njëjtit mendim, me njerëz në Austri dhe Zvicër. Edhe pse janë në skajet e spektrit të djathtë dhe deri më tani kishte grupe të njohura që mblidheshin rregullisht për të kremtuar ritualet gjermane, në të cilat merrnin pjesë edhe anëtarë të shquar të skenës së ekstremit të djathtë, lëvizja Anastasia bazohet në struktura më solide dhe karakterizohet nga zgjerimi i shpejtë në “ultësirat lindore dhe veriore” të Gjermanisë, siç thuhet në njoftimin për shtyp. Anëtarët e kësaj lëvizjeje insistojnë që t’i rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre sipas kësaj ideologjie./DW

You may also like