Letër e hapur, Shaqir Fetahut të BFI-së, “Nëse nuk ke turp, vepro si të duash!”

by admin
Spread the love

Letër e hapur Nr. 2

Deri te: z. Shaqir ef Fetahi -Reisul Ulema i BFI-së.

Shkruan Jusuf Zimeri

Drejtori sektorit Fetaro-Arsimor pranë Rijasetit të BFI-së .

Nëse nuk ke turp, vepro si të duash!

I nderuari Fetahi, edhe një herë ju përkujtojë se:

Ibni Mes’udi r.a. thotë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Prej virtyteve që e kanë mësuar njerëzit nga fjalët e Pejgambereve të parë është: Nëse nuk ke turp, vepro çka të duash” Buhariu.

Turpi është pjesë e pandashme e besimit, është kurorë e moralit dhe zbukurimit shpirtërorë, prandaj të gjithë librat qiellorë turpin e konsideruan cilësi dhe virtyt të mirë. Dijetari i famshëm El Menavi thotë: turpi është tkurrje që njeriu e gjen në veten e tij dhe e bënë të mos veshë atë për të cilën e kritikojnë. E kundërta e turpit është mendjemadhësia dhe arroganca ndaj asaj që është e qortueshme.

I nderuari Fetahu, jam i vetëdijshëm se shfrytëzimi i mjeteve dhe metodave satanike që po i përdorni ju, para masës së gjërë, dhe gjithandej nga po lëvizni duke plasuar të pavërteta dhe etiketime të nivelit të ulët, përbaltë edhe figurën e Reisul Ulemas, dëmton institucionin dhe reflekton në mbarë shoqërinë islame. Ju i nderuar, keni krijuar karizmin dhe përshtypje të rrejshme në veten tuaj se, jeni një “luan” por, luan që sulmon tinëzisht dhe natën. Unë kam bindje se, edhe ju e dini se përshtypja e juaj se, “jeni i fortë” është e rrejshme sepse forca e juaja mbështetet në veprimtari djallëzor dhe, si e tillë, sot apo nesër, do të tretet dhe do të shkrihet me rrezet e para të së vërtetës, ashtu siç edhe ka filluar të tretet.

Cilësinë “Forcë” që ju e keni për qejfi dhe për shpirti aq shumë, e për të cilën vetë ju na keni treguar disa herë duke u shprehur citoj “se unë jam shumë i fortë, ju nuk e dini sa i fortë jam” ju përkujtojë se, nuk është cilësi njerëzore, e aq më pakë e një udhëheqësi islam. Ju përkujtoj se cilësia e forcës e zhveshur nga burrëria dhe njerëzorja, është satanike, është ajo për të cilën flet edhe Kur’ani Fisnik ku thotë: “S’ka kush që mund t’iu mposhtë sot ju, unë jam mbrojtës Juaji! Ky ishte mesazhi i djallit që ua tha atyre që, vërtetë pretendonin se ishin të fortë, por në realitet në ballafaqim me të vërtetën u dëshmua e kundërta.

I Nderuari Fetahi, unë jam i vetëdijshëm, se pozita që keni ju sot, ua mundëson të përdorni të gjitha mundësitë e pa ndershme, jo legjitime dhe jo legale, (sepse mjetet legjitime dhe legale janë kundër jush) përfshirë edhe ato materiale, për të përçarë, etiketuar dhe devalvuar të gjithë ata, që nuk mendojnë si ju, por kjo nuk ju bënë të fortë, e as nuk ju bënë nderë aspak, përkundrazi ju përbaltë deri në palcë.

Ju Shaqir Fetai gjithkund ku lëvizni me makinën zyrtare dhe me truprojat tuaja të caktuar nga MPB “që ju bëjnë të fortë”, me makinerinë tuja propaganduese nëpër njerëz, po tentoni të shantazhoni dhe gënjeni opinionin se keni zbuluar grupin e strukturuar kriminel në BFI, andaj edhe keni bërë sistemimin e tyre. I nderuar, po të ishte ashtu, atëherë ju përkujtojë se kriminelët nuk sistemohen në institucion, ata duhet dërguar para drejtësisë dhe duhet arrestuar, e jo sistemuar. Sistemimi i kriminelëve dhe hajdutëve në Institucion është Krim e sistemuesi është bashkëpunëtor i krimit. Por, jo, e vërteta është krejt diçka ndryshe, e që është: “ju në emër të sistemimit të ndershëm, në realitet keni tentuar të nënçmoni, devalvoni dhe t’i hiqni qafe njerëzit të cilët kanë kërkuar nga ju, që kriminelët dhe hajdutët e BFI-së, për të cilët ju thoni se, citoj “kam dëshmi të pa kontestuara”, t’i dërgoni para organeve të drejtësisë. Por, jo i nderuar, ju nuk dëgjuat këtë këshillë, nuk dëgjuat sepse ishit i dobët dhe i frikësuar nga drejtësia, prandaj për të zgjidhur problemin sipas jush, zgjodhët të kundërtën, zgjodhët të bëheni pjesë e krimit, sepse “fshehja e krimit, është krim”. Ju zgjodhët që t’i gradoni në pozita të larta ata që kishin vjedhur (gjithnjë sipas jush), dhe zgjodhët që të sanksiononi ata që kërkojnë përgjegjësinë prej jush si Reisul Ulema dhe prej tyre. Juve sigurisht ju kujtohet momenti kur në kabinetin tuja pas një debati të gjatë ku me këmbëngulje kërkoja të zbardhen të gjitha keqpërdorimet, ju refuzonit me ngulm dhe në fund u ngritët në këmbë dhe thatë: “Ti e ke lehtë që i ke duart e pastra”.

Po, po, zotëri Fetahu, përkundër kësaj zgjodhët të gradoni edhe ata hajdutë që i zutë, citoj: “me pelë për dore” sepse ata kishin ardhur dhe kishin qarë para jush, dhe ju si “shpirtmirë e bujar që jeni” ua falet, por me kusht: “të jeni lojal ndaj meje, deri në vdekje! Ju zotëri Shaqir Fetahi na treguat vetë kush ishin ata, ju i dini emrat e tyre, sepse ne i mësuam nga ju, kur ju na i thoshit në kabinetin tuaj, e tani i keni të privilegjuarit tuaj në BFI.

Po si nuk skuqeni pak mor zotëri, kur dilni para opinionit dhe thoni se ke bërë reforma me kuadro të reja profesionale (që skam asgjë të keqe me ta, edhe mund të jenë profesional, por duhet të dëshmojë koha) por ju si njeri pensionist, a nuk gjetet një njeri profesional për vendin tuaj. Ana e errët e juaja është se, ju ose nuk mbani mend, ose mendoni se të tjerët nuk marrin vesh asgjë, dhe kundërshtoheni me veten tuaj. Ju vetë, me dorën tuaj shkruat, dhe me gojën tuaj deklaruar se viti 2022 ka qenë viti shumë i suksesshëm! Mirë shumë, po me kë e bëtë këtë vit kaq të suksesshëm? Kur viti paska qenë i suksesshëm, dhe ju shkarkoni njerëzit që kanë sjellë këto sukses, kjo nënkupton se juve aspak nuk ju intereson suksesi i BFI- së, e as njerëzit e suksesshëm, por juve ju interesojnë vetëm njerëzit që janë “lojal për ju” siç keni dëshmuar vetë në deklaratën tuaj.

Pas të gjitha këtyre akuzave të pa skrupullta që i ndani ndaj neve, ju pyes: a do të keni sy dhe faqe, burrëri dhe trimëri që një ditë të takohesh me mua sy për sy dhe t’i thuash të gjitha këto gënjeshtar që i ke lëshuar në adresën time. Po ua them troç, unë kam sy e faqe dhe guxim të ballafaqohem sy më sy me ju dhe t’ua them një nga një të gjitha këto fjalë që po ti shkruaj, dhe ti e di mirë i nderuar këtë sepse ti kam thënë disa herë në kabinet, jo tëndin por të Reisul Ulemasë. Sigurisht se, nëse nuk do të takohemi sy në sy në këtë botë, sepse jetës nuk i dihet, jam i sigurt se atje në botën tjetër do të takohemi sy me sy dhe do të ballafaqohemi para gjykatësit suprem, për padrejtësinë dhe dëmin moral e material që keni shkaktuar ndaj meje, nëse ju e besoni këtë ditë gjykimi, unë po.

Për në fund i nderuar, konstatimi im por edhe i shumë njerëzve është se turpin e keni ngrënë pa bukë, andaj veproni si të doni! por unë do vazhdoj të komunikoj me ju në këtë formë, derisa të ma mundësoni formën ndryshe të komunikimit me ju.

Ende s’ka përfunduar asgjë, veç sa ka filluar

Deri në shkresën tjetër selamu alejkum.

You may also like