Leipzig shpërdoron mundësinë për Champions, Leverkusen nuk fal

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Red Bull Leipzig shpërdoron një shans të artë për t’u ngjitur në zonën Champions pasi është mposhtur në javën e 32-të nga Monchengladbach me rezultatin 3-1. Ekipi i Tedescos nuk përfitoi dot nga epërsia numerike në momentin kur ndeshja ishte 2-1, madje pësuan edhe një gol që mbylli llogaritë në këtë takim.

Ishte Embolo ai që prishi ekuilibrat që në minutën e 17-të duke i dhënë avantazhin Borussias. Megjithatë, Leipzig arriti të reagonte dhe i përhershmi Nkunku i çoi shifrat në 1-1. Kur dukej se pjesa e parë do të përfundonte në barazim, ishte Hofmann ai që kaloi sërish në avantazh Gladbachun.

Në pjesën e dytë, Leipzig kërkoi përmbysjen dhe gjithçka u duk më e lehtë kur Elvedi u ndëshkua me karton të kuq. Mirëpo kur të gjithë po prisnin të paktën golin e barazimit, ishte sërish Hofmann që shënoi për Borussian duke vulosur rezultatin e takimit në 3-1.

Kështu me dy javë nga fundi i kampionatit, Leipzig ndodhet në vendin e pestë, 1 pikë më pak se Freiburgu i vendit të katërt që në renditjen aktuale kualifikohet për Champions League.

Bayer Leverkusen sakaq duket se e ka hipotekuar zonën Champions edhe pse jo matematikisht. Ata mposhtën në shtëpi me rezultatin 2-0 Eintrach Frankfurt dhe ngjiten në kuotën e 58 pikëve, ku i mjafton vetëm një fitore për të siguruar matematikisht kompeticionin më elitar europian.

Paulinho i dha avantazhin Leverkusenit për pak më shumë se çerekore lojë duke e futur sfidën në rrugën e duhur për ekipin e tij. Megjithatë, goli i sigurisë erdhi nga Patrik Schick që shënoi në pjesën e dytë duke i çuar shifrat në 2-0. /oversport.tv

Foto: Borussia, Twitter

You may also like