Lehtësohet integrimi i Ballkanit Perëndimor? Gjermania: Të hiqet unanimiteti për zgjerimin

by admin
Spread the love




Gjermania kërkon me ngulm zhbllokimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Kancelari Olaf Scholz, duke folur nga Republika Çeke, shprehu mbështetjen e tij të fortë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bllokun me 27 vende.

“Anëtarësimi i tyre është në interesin tonë”, theksoi kreu i qeverisë gjermane. Megjithatë, kritikoi formën aktuale të vendimmarrjes dhe kërkoi një tranzicion gradual nga votimi unanim në atë mazhoritar, duke e konsideruar këtë një gur në themelin e zgjerimit të unionit.
“Aty ku kërkohet unanimiteti sot, rreziku që një vend i vetëm të përdorë veton e tij dhe të frenojë të gjithë të tjerët të ecin përpara, rritet me çdo shtet anëtar shtesë. Prandaj kam propozuar një kalim gradual në votimin me shumicë të cilësuar në politikën e jashtme të përbashkët, por edhe në fusha të tjera, si politika tatimore, duke e ditur mirë se kjo do të ketë pasoja edhe për Gjermaninë”, tha Scholz.
Në fjalimin e tij të quajtur “Europa është e ardhmja jonë”, kancelari gjerman nënvizoi se qendra e BE-së po zhvendoset drejt lindjes. Përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, Scholz nxiti 27 vendet anëtare që të zgjidhin konfliktet e vjetra dhe të gjejnë zgjidhje të reja, ndërsa u zotua se Gjermania do të mbajë mbështetjen e saj për Kievin për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Qeveria e tij do të dërgojë armë në Ukrainë në javët e ardhshme. Përveç dhurimit të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore, radarëve apo dronëve, Gjermania do të marrë përgjegjësi special në ndërtimin e artilerisë së Kievit dhe kapaciteteve të mbrojtjes ajrore. /A2cnn


You may also like