Lazio është shumë e fortë për Sampdorian, Luis Alberto dhuron spektakël

by admin
Spread the love

Lazio dominon sfidën e “Olimpicos”, mposht 2-0 Sampdorian dhe hedh një hap të madh drejt sigurimit të një vendi në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Bardhekaltërit kanë shënuar nga një gol për çdo pjesë dhe nuk kanë diskutuar për asnjë moment suksesin në këtë sfidë.

Luis Alberto ka qenë protagonisti i mbrëmjes, pasi spanjolli ka shënuar një gol shumë të bukur dhe ka dhënë asistin në golin tjetër. Sampdoria duhet të vuajë edhe pak, që të sigurojë matematikisht qëndrimin në Serie A.

Një pjesë e parë e ekuilibruar është zhvilluar në “Olimpico” mes Lazios dhe Sampdorias. Vendasit shfaqen më kërkues dhe gradualisht fillojnë të fitojnë territor dhe shohin drejt portës së kundërshtarit. Sampdoria i ka lënë zotërimin e topit Lazios, por mbrohet mirë, madje zbret rrezikshëm dhe provon të zhbllokojë sfidën me Thorsby.

Bardhekaltrit shtojnë presionin në 15 minutat e fundit të pjesës së parë dhe arrijnë të zhbllokojnë sfidën me Patric. Spikat në pjesën e parë mes vendasve Luis Alberto jo vetëm për asistin e golit, por edhe për atë që tregon në fushë.

Ka ritëm në pjesën e dytë. Lazio rrezikon me Immobile, ndërsa Bereszynski provon aftësitë e Strakoshës pak minuta më vonë. Skuadra e Sarrit kërkon të mbyllë ndeshjen dhe shton presionin në portën kundërshtare.

Provojnë Zaccagni dhe Immobile, por Audero nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë. Është mbrëmja e Luis Albertos, që realizon një gol shumë të bukur, duke vallëzuar mes mbrojtësve kundërshtarë kalon në avantazh të dyfishtë Lazion.

Sampdoria mundohet të reagojë me Bereszinski, por gjuajtja e tij bllokohet. Immobile i afrohet golit të tretë, por Audero i mohon festën bomberit bardhekaltër. I pafat Quagliarella për miqtë, që godet shtyllën.

Lazio dominon dhe menaxhon avantazhin e dyfishtë në minutat e mbetura dhe merr tre pikë që e ngjisin në vendin e 5-të në renditje. Sampdoria duhet të presë edhe pak që të festojë qëndrimin në Serie A. / Oversport.tv

You may also like