Lajmet e rreme nuk janë problem teknologjik. Janë problem shoqëror

by admin
Spread the love

Shembuj të shumtë të asaj që është duke ndodhur në botë, na tregojnë se përhapja e shfrenuar e lajmeve të rreme, e keqinformimit, dezinformimit, të gjitha falsiteteve që bota digjitale ka mundësuar të përhapen në Internet dhe jo vetëm, janë treguas te një dështimi me përmasa jo të vogla, të shoqërive në përgjithësi: ndërgjegjësimit të qytetarëve për t’u angazhuar në edukimin informatik, mediatik, apo të lajmeve. Ose e thënë me fjalë të tjera, si mund t’u mësohet qytetarëve, që në moshë të vogël e deri në moshë të rritur, se si të mendojnë në mënyrë kritike, kur ata gjenden përballë vërshimit të informacioneve, që u vijnë nga të katër anët, në epokën e sotme moderne.

Problemi i vërtetë është se shoqëria jonë gjithmonë e më shumë është duke i dhënë përparësi shpejtësisë në vend që të avantazhojë saktësinë. Jemi duke i dhënë më shumë ndarjes së asaj që shohim, se sa leximit të asaj që shohim. Rendim për të komentuar, edhe përpara se sa ta kuptojmë atë informacion që na ofrohet.

Shkollat nuk u mësojnë më nxënësve se si duhet që të verifikojnë burimet e atyre që lexojnë, se si të bëjnë të mundur ndarjen e fakteve nga opinionet, si të bëjnë kërkime, apo edhe konceptit bazë të vlerësimit të asaj që shohin.

Jo, ne fëmijëve u mësojmë se si të përsërisin pa u menduar atë që të tjerët u tregojnë dhe se si të krijonë varësi nga ndihmësit digjitalë për shumicën e gjërave që shohin dhe lexojnë.

Shkurt, nuk jemi duke i treguar shoqërisë se si të mendojë në lidhje me informacionin që merr dhe përthith çdo ditë. Dhe kështu i kemi lënë qytetarët “në detin e hapur” dhe plot furtunë të hapësirës digjitale, e cila është çdo ditë e më shumë e përmbytur me gënjeshtra, me lajme të pavërteta. Dhe qytetarëve tanë as nuk kemi marrë mundimin t’u japim një busull, për të mundur të lundrojnë të sigurt nëpër këtë hapësirë.

Zgjidhja e vetme është që qytetarët të arrijnë të mësojnë të paktën bazat e edukimit mbi informacionin, apo edukimit mediatik.

E vërteta është se ne sot jetojmë në një botë ku, një e vërtetë konsiderohet e gjithëpranuar dhe çuditërisht, pa u sfiduar apo vënë në dyshim nga askush: që çdo problem e ka një zgjidhje teknologjike. Madje kemi mbërritur deri në pikën kur mendohet që, çdo problem mund të zgjidhet vetëm dhe vetëm prej teknologjisë, dhe kështu shoqëria lihet mënjanë dhe asaj nuk i kërkohet të lëvizë as gishtin. Na kanë bërë të besojmë se, një dy ndryshime të vogla algoritmesh, një pasdite punë me kode dhe kodim, dhe ja, problemet zgjidhen si me magji.

Asgjë nuk është më larg të vërtetës, se sa një besim i tillë.

Dhe e keqja më e madhe është se, pikërisht kjo mendësi e përhapur ka mbijetuar dhe është ajo faktori kryesor që u jep një shtysë jo të vogël edhe lajmeve të rreme, jo pak të përhapura sot.

Pjesa dërrmuese e vendeve dhe kompanive të mëdha teknologjike, në vend se të investojnë fuqishëm në edukimin mediatik dhe edukimin mbi informacionin, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shumëfishuar përpjekjet për gjetjen e e zgjidhjeve me natyrë teknologjike, për të luftuar lajmet e rreme. Në vend se të edukojnë lexuesin, kanë investuar në legjione të tëra të të ashtuquajturve kontrollorë të fakteve. Në vend se të ofrojnë edukim për konsumatorët e informacionit dhe të lajmeve, kanë investuar në mjete informatike që bllokojnë faqe interneti, në algoritme të cilët nuk kanë bërë pothuaj asgjë për të ndalur dallgën gjigande që ka përmbytur hapësirën ku lundrojmë të gjithë.

Të gjitha përpjekje të lavdërueshme. Askush nuk mund të vërë në dyshim qëllimin e mirë, edhe pse është një fakt i pamohueshëm që, në sytë e kompanive të mëdha të teknologjisë, jemi të gjithë konsumatorë, “lopë për t’u mjelë” në tregun gjigand global të reklamave, ku qarkullojnë miliarda, dhe ku shpesh herë, pasojat që shkaktojnë lajmet e rreme, shihen thjesht si efekte anësore në funksion të fitimeve përrallore.

Por, ajo që të gjithë duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë është se teknologjia nuk është në gjendje që të gjejë zgjidhje për atë që është problemi madhor: tendenca jonë e lindur, për të besuar symbyllur gjithçka që lexojmë në Internet. Dhe mbi të gjitha, tendenca jonë për të shkuar më tej, duke e ndarë me të tjerë informacionin, pa lëvizur më parë as edhe një fije nervore, për ta verifikuar atë. Teknologjia pra, bën përpjekje për të zbutur simptomat, ndërkohë që problemi mbetet i pazgjidhur.

Në fillimet e përdorimit të gjerë të Internetit, shoqëritë dhe autoritetet u bënin thirrje qytetarëve që të mos besonin gjithçka që lexonin online. U thuhej se çdo deklaratë që shfaqej duhej që të trajtohej me një dozë të shëndetshme dyshimi. Dhe mbi të gjitha të mos ndërmerrnin veprime bazuar në informacione të paverifikuara e sidomos të mos i ndanin këto informacione me të tjerë. Ndërsa sot, po këto shoqëri, ushtrojnë një presion të pabesueshëm mbi qytetarët e vet që të besojnë sa hap e mbyll sytë çdo informacion që shohin dhe ta ndajnë atë pa u menduar. Duke refuzuar madje të gjitha informacionet që bien ndesh me këto.

Dhe kështu, na ka ndodhur që kemi mbërritur në pikën ku, një adoleshent që punon me një laptop në garazhdin e shtëpisë së prindërve në anën tjetër të botës, mundet që nën kushtet e anonimatit të postojë diçka në medja sociale. Pastaj, këtë deklaratë t’ia atribuojë presidentit apo kryeministrit të një vendi, dhe ajo deklaratë të bëhet menjëherë virale, duke u ripostuar, pëlqyer, komentuar dhe ndarë me miq e familje nga qindra e mijëra njerëz nëpër botë. Jo vetëm kaq, po ndizet një debat i pabesueshëm ndërkombëtar, dhe askush nuk ndalet për një moment dhe të thotë: Ore prit, po sikur të mos jetë e vërtetë?

Apo mund të ndodhë që akademikë dhe shkencëtarë të heqin dorë nga çdo lloj filtri mosbesimi, dhe të hanë sapunin për djathë kur shohin një llogari në Facebook apo Tuiter, e cila pretendon që të jetë një shoqëri e fshehtë në aksion kundër qeverisë. Ka ndodhur kjo, nuk është sajerë. Edhe pse njerëzit ishin bombarduar me paralajmërime që të bënin kujdes ndaj mashtrimit të të famshmit “Princit Nigerian” (emaile që kërkonin të dhënat e kartës së kreditit sepse kish dalë diku një pasuri e paimagjinueshme që priste ty), prapëseprapë u deshën vetëm pak llogari anonime në Tuiter, që pretendonin se ishin shkencëtarë, për të bërë komunitetin shkencor të fillonte të jepte para për të mbledhur fonde.

Parrulla e vjetër “Mos e beso gjithçka që lexon në Internet”, sot fatkeqësisht ia ka lënë vendin parrullës “Beso gjithçka që të del para syve online dhe ndaje sa më shumë me të tjerë”.

Edhe fëmijët apo të rinjtë që kanë lindur pas përhapjes së informacionit digjital dhe janë rritur në një botë të ngopur me informacion, nuk janë më të zotë në shoshitjen dhe verifikimin e besueshmërisë së informacioneve që marrin. Madje shumë prej tyre nuk janë të zotë as edhe në të kuptuarit e koncepteve themelore, të ndarjes së artikujve të paguar nga raportimi gazetaresk me natyrë objektive.

Padyshim, kanë të drejtë të gjithë ata që kërkojnë të shtohen kurset për programim dhe kuptim të të dhënave nëpër klasat e shkollave tona. Këto sigurisht që do të krijonin qytetarë më të ditur nga pikëpamja teknologjike. Por nuk mund të themi se kjo është njësoj me edukimin mediatik dhe mendimin kritik që kërkohet. Sepse aftësia për të koduar nuk ndihmon një nxënës që të zhdukë si me magji prirjen për t’u besuar lajmeve të pavërteta.

Algoritmet mund t’i ndihmojnë qytetarët që të bëjnë një lloj kategorizimi të informacionit që vërshon kudo përreth tyre, duke i ndihmuar që të identifikojnë rrëfimet e ndryshme dhe që mund të bien ndesh mes tyre, apo edhe faktet e kontestuara. Por teknologjia nuk është ilaçi për të gjitha sëmundjet e kohës sonë. Sepse deri më sot, nuk ka dalë ndonjë algoritëm që të eleminojë të gjitha informacionet e rreme online.

Kjo është arsyeja pse, për të zgjidhur problemin e lajmeve të rreme, nevojitet një kombinim i ndihmës së teknologjisë, me edukimin mediatik të qytetarëve tanë.

Duhet që shoqëritë t’u mësojnë fëmijëve që në moshë të vogël se si të bëjnë kërkime, si të dallojnë dhe ndajnë burimet, dhe mbi të gjitha se si t’i japin rëndësi burimit prej nga ku vjen informacioni që gëlltisin.

Dhe mbi të gjitha, duhet që të gjithë bashkë t’i japim më shumë peshë verifikimit se sa shpejtësisë.

Për fat të keq, në botën moderne të mediave sociale ku shpejtësia dhe postimet virale të japin fët e fët famë dhe para, këto koncepte nuk janë dhe aq të pranueshme.

E prapëseprapë, duhet të këmbëngulim se epidemia e gënjeshtrave nuk mund të luftohet vetëm prej teknologjisë. Sfida e sotme e luftës kundër lajmeve të rreme, keqinformimit, dezinformimit, dhe ndikimit të aktorëve të ndryshëm keqbërës, sidomos të jashtëm, kërkon një zgjidhje e cila është shumë njerëzore në natyrën e saj. Kërkon që shoqëria të mësojë bazat e edukimit mediatik. Të mësojë se si të mendojë për informacionin që konsumon.

Një shoqëri me një vetëdijësim më të lartë në lidhje me informacionin që konsumon, padyshim që do i sillte dëm ekonomik platformave të mediave sociale që janë të fiksuara pas shpejtësisë dhe viralitetit, dhe as nuk duan t’ia dinë për verifikimin e asaj që postohet. Që do të thotë se do të ketë shumë rezistencë.

Por, duhet ta kuptojmë të gjithë se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë luftë është që të kuptojmë se problemi nuk është teknologjik. Problemi është shoqëror. Kjo është arsyeja pse duhet t’i kthehemi ditëve të para kur të gjithë bënin thirrje të bënim kujdes, sepse “jo çdo gjë që fluturon hahet”. (TruthHub – Shqip)

You may also like