Lajçak për Asociacionin: Nuk e dobëson Kosovën, në tavolinë janë 16 modele evropiane

by admin
Spread the love

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e dobëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës, dhe se në tavolinë janë 16 modele evropiane.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, ai ka deklaruar se modelet ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve, janë në përputhje me standardet evropiane.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës…kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund të iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën”, është shprehur Lajçak.

Ai ka thënë se po bëhen gati për takimin e 18 marsit, derisa e konfirmoi edhe një herë, se shumë shpejt do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

Më 27 shkurt, Serbia dhe Kosova ranë dakord se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme mbi propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili potencialisht mund të hapë rrugën për zgjidhjen e një konflikti të papërfunduar. Marrëveshja ishte një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me fokus në garancitë dhe mbrojtjen e të drejtave legjitime të komunitetit serb në gjithë territorin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka pasur gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka bërë një gjë të tillë.


Top Channel

You may also like