Ky është kosovari që ka ndezur Shtërpcën e qetë – Shqip

by admin
Spread the love

I dyshuari për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë, njëri i mitur, është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Mehaj, në një status të tij në Facebook për rastin, ka thënë se i dyshuari A. K. (33 vjeç) do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

“Tani jam informuar se një pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës është i përfshirë në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë. Me rastin po merren organet e sigurisë dhe ato gjyqësore. Do të trajtohet në përputhje me rregulloret dhe ligjet që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.

“Shpreh keqardhjen time më të thellë për atë që ndodhi në Shtërpcë. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Raste të tilla janë të izoluara, por si të tilla nuk duhet të ndodhin. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuara për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, shkruan Mehaj.

Për incidentin reagoi dhe kryeministri Kurti. Ai dënoi plagosjen e dy shtetasve serbë në Shtërpcë, duke thënë se i dyshuari për sulmin, i cili u ndalua nga policia e Kosovës, do të përballet me autoritetet gjyqësore.

Kurti u ka uruar shërim të shpejtë dy të lënduarve, duke theksuar se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“E dënoj fuqishëm sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Sipas informacioneve, të rinjtë e moshës 11 dhe 21 vjeç janë jashtë rrezikut për jetën dhe ju uroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar të dyshuarin, i cili pa dyshim se duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet kompetente do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.

Nuk dihet ende se pse kosovari ka qëlluar ndaj dy serbëve në moshë të re, ndodhur kjo në natën që serbët do kremtonin Krishtlindjet ortodokse, në një komunë ku ka një bashkëjetesë paqësore mes serbëve e shqiptarëve. /tesheshi.com/  

You may also like