Kuvendi nuk e konstatoi rendin e ditës së mbledhjes së re të 71-të

by admin
Spread the love

Kuvendi sot punoi në mbledhjen e re të 71-të, për të cilën, edhe pas debatit gjatë tërë ditës, ende nuk është vërtetuar rendi i ditës. Për fjalë janë paraqitur 37 deputetë të opozitës, ndërsa mbledhja do të vazhdojë nesër në orën 12.

Debati në Kuvend pasdite kaloi në mosmarrëveshje mes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe deputetëve të opozitës, për shkak të interpretimeve të ndryshme të Rregullores.. Situata u nxeh pasi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, duke iu referuar nenit 70 të Rregullores, tha se do të flasë 10 minuta për të shpjeguar pse propozimi i tij i akcizës duhet të jetë në rend dite në seancën e 71-të.

Kryetari Xhaferi, duke iu referuar nenit 77 të Rregullores, i tha se ai ka të drejtë tre minuta që ta elaborojë propozimin.

Pas kësaj, disa deputetë u paraqitën për sqarim të nenit 70 të Rregullores dhe pse Stojanovski ka të drejtë të flasë 10 minuta.

Paraprakisht, disa nga deputetëve u janë miratuar propozimet për përfshirjen e disa pikave në rendin e ditës ndër të parat që do të shqyrtohen, përfshirë raportet vjetore për vitin 2021 të Avokatit të Popullit, Këshillit Gjyqësor, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pastaj Projektligjin për tregti, si dhe interpelancë për punën e kryetares së Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sonja Mirakovska.

Para pauzës koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski kërkoi sqarim nga Xhaferi se pse 10 propozim-ligjet e tyre nuk u gjetën në rend dite në mbledhjen e 71-të.

“Prisja që rendi i ditës i kësaj mbledhje të plotësohet me propozim – ligje shumë të gjata të parashtruara nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë”, sepse të enjten kemi dorëzuar 10 vendime ligjore, në procedurë të shkurtuar. Në disa ligje ka ndryshim të vetëm një fjale. Për shembull, në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, përveç grurit si kulturë strategjike, propozojmë të qëndrojë ‘edhe orizi’. Ju do të më thoni se kjo fjalë ‘edhe orizi’ u duhet shërbimeve që ta përkthejnë për pesë ditë? Kjo nuk do të jetë përgjigje”, tha Micevski.

Ai tha se, sipas Rregullores, ligjet me procedurë të shkurtuar dorëzohen më shumë se tri ditë para fillimit të seancës dhe se obligim i kryetarit të Kuvendit është që t’i përkthejë zgjidhjet ligjore, të cilat duhet të jenë pjesë përbërëse e seancës.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se i mori materialet të premten më 6 maj. Ai tha se, sipas Rregullores i ka shqyrtuar projektligjet në afat prej tri ditësh dhe i ka dhënë që të përkthehen.

“Të nderuar qytetarë, motoja e pankartës ‘Bojkot aktiv për shpëtim kombëtar”, ja shpëtimi juaj. Sot për rendin e ditës të propozuar kanë aplikuar 37 deputetë për t’ju ​​’shpëtuar’, që tre ditët në vijim të punohet vetëm për miratimin e rendit të ditës. Aq mendojnë ata për ju”, tha Xhaferi.

Në fillim të seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-së qëndruan para kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi me pankartë “Bllokadë aktive për shpëtim kombëtar”, pas çka ai bëri thirrje që të ulen në vendet e tyre.

Në rend dite të seancës së sotme janë disa projektligje, kryesisht në fushën e financave dhe të mbrojtjes.

You may also like