Kush ishte mësuesi ILIA LAKRORI, themeluesi i shkollës së fshatit Begracë?

by admin
Spread the love

Shkruan: Berat Luzha

Ilia Ligor Lakrori ka lindur më 13 mars 1922 në fshatin Progër, rrethi i Devollit, jo larg nga qyteti i Korçës, në një familje me tradita patriotike.

Babai i Ilisë, Ligor Lakrori, ishte një luftëtar i paepur i çështjes kombëtare dhe i lirisë, për bashkim dhe përparim të shoqërisë shqiptare. Ai ka rihapur shkollën shqipe në fshatin Progër në vitin 1917, shkollë kjo e cila ishte hapur në vitin 1908, por që ishte mbyllur gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Mësuesi Ligor Lakrori nuk kishte pranuar ta vishte uniformën e ushtrisë greke, kur grekët deshën ta mobilizonin në ushtrinë e tyre, me ç’rast e kishin burgosur dhe torturuar në Greqi. Për heroizmin e tij populli kishte krijuar një këngë, e cila thotë:

O Ligor, djalë progar,

Burrë trim dhe atdhetar,

O mësues i gjuhës shqipe,

Ti grekut shkurt ia prite:

Shovinist, ore barbar,

Më thua – ushtar do të marrë,

Unë nuk të vij ushtar,

Se s’jam grek po jam shqiptar,

Ndaj nuk bëhem tradhëtar,

S’kam të bëj hiç me Greqinë

Luftoj veç për Shqipërinë

Këtë e kemi vendin tonë

Na ka djem, e kemi nënë,

Për këtë Nënë të vërtetë

Nuk kursejmë as gjak as jetë.

Babai i Ilisë, Ligor Lakrori, ka marrë pjesë në luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe në Revolucionin Demokratik të Qershorit në vitin 1924. Ai punoi si mësues deri në rrëzimin e Qeverisë së Fan Nolit, por u pushua nga Qeveria e A. Zogut.

Ilia Lakrori, djali i Ligorit, e kreu shkollën fillore dhe 7-vjeçaren në fshatin e tij, në Progër. Pastaj vazhdoi mësimet tri vjet në Liceun françez të Korçës, por nuk e përfundoi, sepse filloi Lufta e Dytë Botërore.

Ilia mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kuadër të Brigadës 15-të Sulmuese. U shqua për trimëri dhe heroizëm.

Pas çlirimit të Shqipërisë, njësitë e Brigadës 15-të Sulmuese shkuan në ndihmë për çlirimin e Jugosllavisë. Ilia dhe disa bashkëluftëtarë të tij, pas demobilizimit nga ushtria, nuk u kthyen në Shqipëri por qëndruan në Kosovë për t’u ndihmuar vëllezërve të tyre në sektorin e arsimit, veçanërisht në luftën kundër analfabetizmit. Ai u ndalë të punonte në Kaçanik, konkretisht në fshatin Begracë.

Duket se për caktimin e tij në fshatin Begracë ka ndikuar Ilmi Ejupi – Shehu, i cili në atë kohë punonte inspektor komunal i arsimit në Kaçanik.

Gjatë kohës sa qëndroi dhe punoi në Kosovë, Ilisë i kishin vdekur, në moshë të re, të dy prindërit, duke e lënë jetim, pos tij, edhe një motër dhe një vëlla të vogël. Për motrën dhe vëllain e vogël u kujdesën të afërmit, derisa u kthye në shtëpi Ilia. Kur u kthye Ilia nga Kosova e gjeti shtëpinë krejtësisht të rrënuar dhe të plaçkitur. Ishte mërzitur shumë për humbjen e prindërve dhe i mori në përkujdesje motrën dhe vëllain e vogël.

Në vitin 1947 Ilia martohet me një vajzë nga fshati Tren, e quajtur Jorgjia. Nga kjo martesë lindën dy vajza dhe dy djem. Të katër fëmijët Ilia dhe Jorgjia i rritën dhe i edukuan në frymën e dashurisë për Atdheun dhe për përparim, duke e mbajtur të ndezur dritën e dijes dhe të arsimit.

Më vonë Ilia mbaroi shkollën pedagogjike në Korçë. Në vazhdim punoi rreth 20 vjet mësues, shpeshherë larg nga shtëpia dhe nga fshati i tij. Vetëm në fshatin Rakickë, rrethi i Devollit, punoi pa ndërprerje 14 vjet si mësues. Për 6 vjet tjera punoi në fshatin Koshnicë, kurse në vitin 1967 u transferua në fshatin e tij, në Progër, ku krahas punës si mësues, punoi edhe për edukimin e rinisë. Edhe pse në kushte shumë të vështira, ai punoi me devotshmëri për edukimin e brezave të rinj. Organizonte aktivitete të ndryshme edukative, veçanërisht në vendet ku kanë rënë dëshmorët e zonës së Devollit.

Në vitin 1976 Ilia doli në pension, por asnjëherë nuk e ndali veprimtarinë shoqërore. Vdiq më 8 mars 1993, në moshën 71-vjeçare.

Vajza e tij më e madhe, Tatjana, është diplomuar për histori – gjeografi dhe punon si mësuese në gjimnazin “Çajupi” të Tiranës. Vajza e dytë, Dhimitra, mbaroi fakultetin ekonomik në Tiranë dhe punoi si drejtore për financa në komunën Progër. Djali, Sotiraqi, ka mbaruar shkollën e mesme të minierave, tash në pension të parakohshëm. Djali tjetër, Maksi, ka mbaruar shkollën e mesme të ndërtimit, tash emigrant ne Greqi. Një nip i Ilisë, Ergesti, ka kryer studimet në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Ebasan. Dy nipa dhe dy mbesa tjerë të Ilisë kanë studiuar për stomatologji, drejtësi dhe informatikë në Rumani e Rusi.

Puna dhe jeta e mësuesit Ili Lakrori kujtohet me nderim të thellë edhe sot e kësaj dite nga shoqëria dhe nga nxënësit e tij, kudo ku jetojnë ata. Ky mësues i përkushtuar për profesionin e tij fisnik kujtohet dhe nderohet edhe në Kosovë dhe konkretisht në fshatin tonë, në Begracë. Çdo vit, kur kremtohet Dita e Shkollës, mësuesi Ili kujtohet me pietet, me respekt dhe me mirënjohje të lartë. Në vitin 1995, me rastin e kremtimit të 50-vjetorit të themelimit të shkollës fillore “7 Shtatori” të Begracës, mësuesit Ili Lakrori iu nda MIRËNJOHJE për kontribut të veçantë për themelimin e shkollës sonë.

You may also like