kush e ka dëmtuar tubacionit të gazit “Balticconnector”? – Shqip

by admin
Spread the love

Policia në Finlandë tha se ka nisur një hetim penal për sabotimin e mundshëm të një gazsjellësi nënujor që lidh atë vend me Estoninë, i cili u mbyll fundjavën e kaluar pas një rrjedhje gazi.

Byroja Kombëtare e Hetimit të Finlandës (NBI) tha se po mblidhte prova në vendin e rrjedhjes së gazit, e cila u zbulua të dielën, në zonën ekonomike të Finlandës, raporton agjencia AP.

Jo vetëm që u dëmtua gazsjellësi “Balticconnector” që lidh dy aleatët e NATO-s, por u dëmtua edhe kablloja shoqëruese e telekomunikacionit.

Hetimi synon të përcaktojë nëse “Balticconnector” është dëmtuar qëllimisht dhe nëse po, kush e ka bërë këtë.

Autoritetet finlandeze kanë përjashtuar një shkak teknologjik, duke thënë se dëmi është shkaktuar nga “aktiviteti i jashtëm”.

Duke vënë në dukje se hetimi është ende në fazat e hershme, NBI tha se gjurmët u zbuluan në shtratin e detit pranë vendit të rrjedhjes së gazit.

Analistët po spekulojnë për shkakun e mundshëm – nga goditja e spirancës së anijes në tubacion, deri te shpërthimi.

“Duket se dëmi është shkaktuar nga forca mekanike dhe jo nga një shpërthim,” tha kryeinspektori i NBI Risto Lohi, raporton transmetuesi publik finlandez ILE.

Tubacioni i gazit “Balticconnector” është 77 kilometra i gjatë dhe kalon në fund të Gjirit të Finlandës nga qyteti finlandez i Inkoo deri në portin estonez të Paldiskit. Është i dyanshëm, ndaj drejtimi i transportit të gazit natyror varet nga kërkesa dhe oferta.

Tubacioni prej 300 milionë eurosh u financua kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe ka qenë në funksion që nga fillimi i vitit 2020.

Pak më shumë se një vit më parë, tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2 midis Gjermanisë dhe Rusisë në Detin Baltik u dëmtuan nga shpërthimet që besohet se ishin sabotim. Ai rast është ende i pazgjidhur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në Bruksel se ai diskutoi incidentin e fundit me presidentin finlandez Sauli Niinist dhe kryeministren e Estonisë Kaja Kallas.

“Nëse vërtetohet se ky është një sulm i qëllimshëm ndaj infrastrukturës kyçe të NATO-s, atëherë sigurisht që do të jetë serioz, por gjithashtu do të përballet me një përgjigje të bashkuar dhe vendimtare nga Aleanca”, premtoi Stoltenberg.

Zyrtarët finlandezë nuk thonë nëse dyshojnë për përfshirjen e Rusisë, me të cilën marrëdhëniet midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian janë ftohur ndjeshëm që nga pushtimi i saj në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se incidenti në Finlandë ishte “lajm alarmues”.

“Ne e dimë se ka pasur sulme të rrezikshme terroriste në infrastrukturën kryesore në Baltik, dhe kam parasysh sulmet në tubacionet e gazit Nord Stream”, u tha Peskov gazetarëve. “Shpresojmë për informacion më të detajuar”, shtoi ai. /tesheshi.com/

You may also like