Kurti viziton familjet e tre policëve kosovarë të kidnapuar nga forcat serbe – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

Në Mitrovicë, kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar, transmeton klankosova.tv.

”Familjarët vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën”, citon kryeministria mes tjerash.

E në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai [Albin Kurti] u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri.

”Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij”, specifikohet tutje.

Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti vazhdoi vizitën edhe te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.

”Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale”.

Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës, theksohet në njoftimin e kryeministrisë.

You may also like