‘Kundër Partizanit ndryshojmë skemë dhe emra’, Qatip Osmani: Vllaznia s’luan për një pikë

by admin
Spread the love

Partizani dhe Vllaznia luajnë nesër në 18:00 për javën e 12-të në Superligë. Përballja e “Arenës së Demave” është e fundit për këtë raund, me shkodranët që udhëtojnë drejt kryeqytetit për të marrë pikë. Para ndeshjes, për mediet foli trajneri i Vllaznisë. Qatip Osmani kërkon tri pikët e para në krye të kuqebluve, teksa në mesjavë debutoi me barazimin 1-1 kundër Erzenit në “Loro Boriçi”. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut foli edhe për ndryshime në emra dhe skemë, ndërsa kërkon fitoren me vetëbesim.

“Vllaznia nuk shkon për të luajtur ndaj Partizanit dhe për t’u mbrojtur, por do të bëjë një futboll sulmues dhe për të kërkuar fitoren”, kështu tha fillimisht Qatip Osmani, që kërkon tri pikët e para në krye të Vllaznisë.

Osmani tregoi se këto ditë kanë punuar mbi gabimet e shfaqura dhe në anën psikologjike, pasi vetëbesimi duket se ka munguar në ekip.

“Do të mundohemi të ndryshojmë diçka nesër sepse edhe ndeshja e fundit na tregoi disa mungesa. Gjatë këtyre tre ditëve kemi punuar në atë drejtim, për t’i eliminuar ato gabime qe patëm ndaj Erzenit. Unë mendoj se atmosfera në ekip është kthyer dhe jemi të gatshëm për këtë ndeshje, ndonëse bëhet fjalë për një përballje me skuadrën kampione të vendit. Partizani i ka fituar pesë ndeshjet e fundit dhe ka vetëbesim, por edhe ne kemi kualitetet tona për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për një rezultat pozitiv. Ndoshta nuk është shprehja e duhur për të thënë që skuadrës i kishte munguar besimi, por mendoj se futbollistët nuk kanë patur vetebësimin e duhur si individë dhe kjo shkakton probleme tek loja e skuadrës”, vijoi Osmani.

Më pas trajneri foli për ndryshime në emra dhe skemë.

“Nesër ndoshta do të bëjmë edhe një ndryshim në sistemin e lojës dhe po ashtu edhe me aktivizimin e ndonjë lojtari tjetër për të cilin mendojmë se për momentin mund të japë më shumë se të tjerët. Gjatë këtyre tre ditëve kemi punuar shumë edhe në aspektin psikologjik me futbollistët”, tha mes të tjerash trajneri i Vllaznisë.

Partizani me 23 pikë është në vendin e dytë, tre pikë më pak se Egnatia kryesuese. Vllaznia me 13 pikë mban vendin e gjashtë.

You may also like