Kujtimet e luftës në Kosovë, ruhen në memorialin e gjenocidit në Ruanda të Afrikës (FOTO/VIDEO)

by admin
Spread the love

Drejtoresha e “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada në emisionin “Special One”, në Klan Kosova FM, ka folur  për pjesëmarrjen e saj në Kongresi i II-të Ndërkombëtar MUKWEGE, në Kongo të Afrikës, me temën “Reperacioni për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale dhe Dhunës në Baza Gjinore”.

Ajo ka rrëfyer për memorialin e gjenocidit i cili gjendet në Ruanda të Afrikës, ku në një kënd të tij ruhen edhe kujtimet e gjenocidit në Kosovë (1998-1999).

“Ai memorial ruante kujtime të gjenocidit të Ruandës, ku janë të vrarë diku rreth një milion persona, prej të cilëve 800 mijë janë vrarë për  100 ditë, mirëpo çfarë më preku shumë dhe më lumturoi në të njëjtën kohë, ishte se si në një kënd të atij memoriali ruheshin edhe kujtime të gjenocidit të Kosovës dhe të Bosnjë Hercegovinës”, është shprehur Sada.

Ndër të tjera, ajo tregon se në këto kujtime të memorialit, ishin të paraqitura edhe fotografitë e dy kriminelëve të cilët kanë bërë krime në Kosovë e Bosnjë.

“Ishin fotografi të dëbimit, refugjatëve duke lëshuar Kosovën, kishte të vrarë, trupa të cilët ende  mungojnë edhe pasi janë kthyer pas një kohe, mirëpo ishin edhe fotografitë e dy kriminelëve të cilët kanë bërë krime në Kosovë Sllobodan Millosheviqit dhe në Bosnje të Karagjiqit, ku shkruhej se këta janë dy  kriminel që kanë bërë gjenocidin në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë”.

Ndërkohë, që Kosova nuk ka memorial të tillë ku do të ruheshin kujtimet e gjenocidit serb të kryer në vendin tonë.   

You may also like