“Kualifikohemi dhe mbrojmë fronin”, mesfushori i Italisë kërcënon Ukrainën dhe Europën: Nuk luajmë për barazim

by admin
Spread the love

Nikolo Barela kërkon që të rikthehet busulla e mesfushës edhe tek Italia, duke qenë se në eliminatoret e kaluara u mbulua me kritika. Dhe kundër Maqedonisë së Veriut ylli i Interit u rikthye që të shkëlqente dhe të bënte një paraqitje mbresëlënëse, të cilën kërkon që ta përsërisë edhe sot, në sfidën jetike ndaj Ukrainës, e cila dhuron biletën për në “Euro 2024”.

Dhe Barela është aq i karikuar për këtë duel, sa nuk kërcënon vetëm Ukrainën, por edhe rivalet e tjera që do të marrin pjesë në Gjermani, verën e ardhshme:

“Ukraina ka një skuadër të fortë, për më shumë që tashmë brenda tyre është rritur edhe një ndjenjë e fortë, duke parë atë çfarë po vuajnë nga lufta, ndaj kjo i bën dyfish të rrezikshëm. Por në të njëjtën kohë ne jemi të ndërgjegjshëm për forcën tonë, për atë çfarë duam dhe duhet të arrijmë, pas mungesës në dy Botërorët e fundit.

Në mes tyre erdhi suksesi në Europian, diçka që në ia kishim borxh popullit tonë për këto dy gabime, por unë mendoj se edhe në Gjermani, mund të mbrojmë fronin. Përkundrazi, duam ta bëjmë dhe i kemi mundësitë.

Kështu që nesër (sot) në Leverkusen, jo vetëm që do të kualifikohemi duke mundur ukrainasit, por në të njëjtën kohë do t’i lëshojmë një mesazh të gjitha rivaleve në Europian. Ne jemi një kombëtare e re dhe kemi jo vetëm shumë talent, por edhe shumë dëshirë për të treguar se edhe mungesa në Katar 2022 ishte një aksident.

Na mjafton edhe një barazim? E dimë që kemi dy rezultate nga tre për t’u kualifikuar, por do të ishte prej frikacakësh që të zbrisnin në fushë dhe të luanim me llogari. Madje, në këtë mënyrë do të gabonim shumë rëndë.

Ndaj Ukrainës duhet të hidhemi menjëherë në sulm dhe të tregojmë forcën tonë, por duke shmangur ato 20 minutat e mbrapshta me maqedonasit, ku pësuam dy gola.

Ne jemi një kombëtare me frymë sulmuese dhe duam që të vazhdojmë me këtë ide lojë, pasi është ky futbolli që kërkohet në kohët e sotme, për të arritur objektiva të mëdhenj. Fati i mirë është që gjithçka e kemi në duart tona dhe nuk duhet të gabojmë më asgjë tani e në vazhdim”, u shpreh mesfushori i Interit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

You may also like