Kryeministri peruan jep dorëheqjen, akuzohet për një lidhje me një 25-vjeçare! Shfrytëzoi pushtetin për t’i gjetur punë

by admin
Spread the love

Kryeministri i Perusë, Alberto Otárola, ka dhënë dorëheqjen për akuzat se ai u përpoq të përdorte ndikimin e tij për të ndihmuar një grua të fitonte kontrata qeveritare fitimprurëse.

Skandali u përshkallëzua javën e kaluar kur një televizion peruan transmetoi audio, ku dëgjoheshin disa biseda mes të dyve. Otárola, 57 vjeç, ka mohuar çdo akuzë, ndërkohë që një hetim ka nisur për këtë çështje. Sipas programit Panorama, i cili transmetoi për herë të parë klipet gjatë fundjavës, gruaja me të cilën dëgjohet duke folur Z. Otárola është Yaziré Pinedo, 25 vjeç.

25-vjeçares iu dhanë dy kontrata për punë në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2023, ku fitoi 14,000 dollarë. Otarola ishte ministër i mbrojtjes i Perusë deri në fund të vitit 2022, kur Presidentja Dina Boluarte mori detyrën dhe ai u promovua. Në këto audio, z. Otárola dëgjohet duke i deklaruar dashurinë e tij 25-vjeçares dhe i ka kërkuar t’i dërgojë CV-në e saj.

Sipas kryeministrit, ai e ka takuar Pinedon vetëm një herë dhe kishin pasur vetëm një marrëdhënie të shkurtër. Të dy kanë deklaruar se regjistrimet audio ishin nga bisedat të zhvilluara në vitin 2021 – përpara se Z. Otarola të bëhej ministër i kabinetit. Kryeministri Otarola pasi u kthye nga një vizitë zyrtare në Kanada, dha dorëheqjen. Ai akuzon kundërshtarët e tij për publikimin e këtyre audiove, pasi dëshirojnë që t’i prishin imazhin.

Ndër ata që ai ka akuzuar se janë pjesë e një komploti për ta turpëruar është edhe ish-kryeministri Martín Vizcarra, i cili tha në mediat sociale se “i hodhi poshtë me forcë” “akuzat delirante”. Sipas ligjit peruan, të 18 anëtarët e kabinetit të Perusë duhet të ndjekin Otárola dhe të dorëzojnë dorëheqjet e tyre, por presidentja ka zgjedhjen t’i rizgjedhë përsëri të njëjtët anëtarë.


Top Channel

You may also like