Kryeministri arsyetohet, populli varfërohet | Ekonomia Online

by admin
Spread the love

Kryeministri Albin Kurti, dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, deri sa i adresohej publikut, lidhur me ngritjen e çmimeve të artikujeve ushqimorë, e shpërfaqi paaftësinë e tij qeverisëse, më shumë se kurrë më parë.

Duke u strukur pas fjalëve të presidentit amerikan Joe Biden, ai u shpreh se “ngritja e çmimeve në gjithë botën të produkteve elementare është kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës”. Ne nuk mund të jemi përjashtim. Prandaj, janë të pakuptimta ankesat, ishte mesazhi i heshtur i kryeministrit.

Me një fjalë, në vend të veprimit për të intervenuar në këtë kaos tregtar, ai u bëri thirrje qytetarëve që të pajtohen me vuajtjet e sotme, për hir të parajsës nesërme. Ky qëndrim stoik është impertaiv moral. Nuk kanë kuptim frustrimet shoqërore në Kosovë, deri sa në Ukrainë po luftohet për liri. Varfërimi ynë i sotëm i shërben çlirimit të ardhshëm. Shkurt e shqip, ky është ligji i njohur historisë, mbi dhimbjet e së tashmës çdo herë kanë aguar lindjet e reja.

Mirëpo, problemi është se në gjithë botën qeveritë po marrin masa që të lehtësohen pasojat e kësaj krize. Dhe nuk po struken si struci në rërë, sikur po bënë qeveria e Kosovës. E të justifikohen nën paravenet e liderëve globalë për dështimet e tyre. Kroacia, p.sh.m mori hapa konkretë se si të mbahen nën kontroll çmimet e naftës. Apo Republika Veriore e Maqedonisë, vetëm dje prezantoi dhjetëra veprime se si të menaxhohen presione te tilla.

Ndërkaq, këtu duhet cekur se fluturimi i çmimeve brenda natës që e ka kapluar vendin tonë në këtë fazë, nuk është pasojë e krizës në Ukrainë, e as solidaritetit të qeverisë së Kosovës me kauzën e lirisë së atij populli, për ta frenuar agresionin rus në Evropë. Por, e spekulimeve të tregtarëve për të përfituar sa më shumë që të jetë e mundur duke e shfrytëzuar panikun e krijuar. Dhe e dështimit të institucioneve shtetërore për të inspektuar këtë veprimtari. Prandaj, rrënimi i mbijtesës ekonomike të Kosovës nuk mund të mbulohet me slloganet luftës për liri për popullin ukrainas.

Fatkeqësisht, me këtë qasje, pushteti aktual nën emrin e krizës në Ukrainë, nëse s’po e stimulon atëherë të paktën po e toleron në mënyrë të heshtur përkeqësimin gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve në Kosovë, për hir të përfitmit të tregtarëve. Dhe e tëra kjo, duke përdorur sllogane sublime sikur se, lufta për liri e poullit ukrainas . Kjo është nons-logjik. Dhe cinizëm i pacipë. Përpjekje e kotë për ta arsyetuar dështimin me një retorikë mesianike, deri sa jeta reale çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një skëterrë të vërtetë.

Propaganda mund të ndihmojë për pak kohë. Por, jo përgjithmonë. Ajo në fund shndërrohet në varrmihëse për çdo pushtet që përdorur atë pa pushim. Sepse, realiteti i hirtë nuk mund të pudroset pafundësisht me makiazhin e neveritshëm të asnjë retorike te zbrazët.

You may also like