Kriza institucionale e familjes perëndimore

by admin
Spread the love
Hajrudin. S. MUJA

Njerëzit që rriten pa familje, në komunitet ose që nuk marrin mbështetje të mjaftueshme financiare, morale dhe edukative nga familjet e tyre, e ndjejnë thellë mungesën e kësaj mbështetje gjatë gjithë jetës së tyre, sepse mungesa e një familjeje reflektohet edhe në fusha të tjera gjatë jetës së tij. Të gjitha problemet mentale që i kemi sot si njerëz të rritur, në fakt janë pasojë e ndonjë traume në fëmijëri, por në një proverb të zakonshëm afrikan thuhet se “duhet një fshat për të rritur një fëmijë”, që në thelb do të thotë se përpjekjet për të rritur një fëmijë janë të përbashkëta dhe jo vetëm të prindërve.

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Është për t’u habitur, por njëkohësisht edhe për t’u shqetësuar, se si njeriu i kohëve moderne në kulmin e avancimit shkencor ka arritur të ngjitet në qiell si shpezët dhe të zhytet në ujë si peshqit, por ka dështuar të ecë në tokë si njeri! Ky avancim shkencor, përveç që e ka lënguar nga zbrazëtia e besimit dhe deformimit moral, ka bërë edhe çrregullimin e institucionit familjar, duke e vendosur atë në një krizë serioze dhe duke e vënë në pikëpyetje vlerën e saj!

Historia nuk ofron shembuj të shoqërive që mbetën të qëndrueshme pa familje të qëndrueshme. Në studimin etnografik “Vlerat e familjes pagane” psikologia Zohreh Kermani na ka dhënë një analizë akademike për traditën e institucionit familjar pagan, mënyrat për ruajtjen e vlerave dhe përpjekjet e prindërve për t’i integruar dhe për t’i socializuar fëmijët në botën e tyre [Kermani: 2013]. Një rëndësi më të veçantë i kanë dhënë religjionet e shpallura [Benson: 1960], prej bërthamës së shoqërisë së lashtë hebraike në “dhjetë urdhëresat” [Eksodi 20: 12, 14, 17], tregimet historike të “Dhiatës së Re” [Efesianëve 6: 1 dhe Kolosianëve 3: 20], e deri në tiparet më dalluese të shoqërisë islame, ku institucioni i familjes, i përbërë nga burri, gruaja dhe fëmijët e tyre, konsiderohej institucion më themelor dhe universal që ka ekzistuar gjatë gjithë historisë njerëzore dhe burimi kryesor i një shoqërie [Sakr: 1995]. E tillë ka qenë edhe në shoqërinë shqiptare, ku fisi ishte një formë e zgjeruar e familjes së madhe dhe shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, ku ruheshin besimet, kostumet, zakonet, etj.

Përgjigja në pyetjen se çfarë e përbën një familje është sa e vështirë aq edhe subjektive! Fjala ka ndryshuar kuptimin e saj në mënyrë të konsiderueshëm, në varësi nga periudhat e ndryshme dhe nga njerëzit e ndryshëm! Në kohët e shkuara familja përkufizohej si “një grup personash në shërbim të një individi” (kryefamiljarit), që sot i kanë dhënë një kuptim arkaik! Në një familje të tillë, burri zakonisht ishte siguruesi i të ardhurave për familjen, ndërsa gruaja qëndronte në shtëpi me fëmijët dhe gatuante e pastronte për të gjithë anëtarët [Tallack: 1996]. Si term vjen nga “familia” e latinishtes që ka kuptimin “shtëpi”, por që përveç anëtarëve të familjes përfshinte edhe shërbëtorët!

Në një përkufizim të përbashkët tradicional (real), familja përfshinë nënën e babanë (të martuar) gjyshin, gjyshen, djemtë, vajzat, nipërit, mbesat, vëllezërit, motrat, gruaja e djalit, njerka (njerku), etj. [Hamburg: 1993]. Mudrock-u shton edhe fëmijët e tyre përmes birësimit [Murdock: 1949]. Giddens-i e përkufizon si: “një grup njerëzish të bashkuar nga lidhjet fisnore, pjesëtarët e rritur të cilit kanë përgjegjësinë e kujdesjes për fëmijët” [Giddens: 2004, f.371] ose që “kanë një vend të posaçëm në projektin e formimit të qytetarëve” [McClain: 2006, f. 3]. Rëndësia primare e këtij “grupi” është roli jetik në socializimin dhe edukimin e fëmijëve. Prindërit shërbejnë si mësues kryesor dhe model për fëmijët e tyre, duke u mësuar aftësitë dhe vlerat e nevojshme për jetën në shoqëri dhe duke ua mundësuar një mjedis të sigurt dhe edukues, i cili është thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve [Marriage & Family Review, #55(3)/2019, f. 244-266]. Me fjalë tjera, familja është “blloku më i vogël i shoqërisë” ose, siç e ka konceptuar Balzaku (1799-1850), “bërthama e shoqërisë”, që rrjedhimisht ka një vend të rëndësishëm, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë jetën e individit. Kjo ka dy funksione themelore: riprodhimin biologjik shoqëror dhe përgatitjen e individit qytetar.

Historia tregon se sapo prishet jeta familjare, shoqëritë rrëshqasin. “Forca e çdo kombi varet nga forca e familjeve të tij”, shkroi Gerald Flurry në “Trumpet” (mars 2009). Nëse është kështu, njëra prej problemeve kyçe të shoqërisë së sotme është dekadenca e institucionit familjar, e cila – bashkë me familjen – po i merr me vete të gjitha vlerat që mund t’i posedojë një shoqëri. Një studiues e ka ilustruar familjen me vagonetat e një treni të gjatë (institucionet), në krye të së cilës qëndron një lokomotivë (familje) dhe në momentin që lokomotiva dështon në drejtimin e vet, të gjitha vagonetat humbasin pas saj! Humbja e kësaj “lokomotive” shpesh ka çuar në humnerë edhe civilizimet e perandoritë më të mëdha që ka parë bota! Keni pyetur ndonjëherë përse kemi sot fëmijë që ngacmojnë dhe denigrojnë publikisht mësuesit e tyre? Përse Londra ka një shkallë krimi më të lartë se Stambolli? Përse 1/3 e vajzave në Amerikë e humbin virgjërinë para moshës 16-vjeçare? Përse vajzat britanike bëjnë 3-4 aborte deri në ditëlindjen e tyre të 18-të? Përse ka rënë cilësia e arsimit dhe shumë “përse?” të tjera, që mund të kenë shumë faktorë, por një përgjigje pa dyshim është “dekadenca e institucionit familjar”.

Stephen Baskerville ka një studim të botuar në “Humanitas” më 22 mars 2009, ku ka paraqitur drojën se konflikti me institucionin familjar mund të ketë vetëm fillimin dhe se mund të jemi në prag të një konfrontimi më të ashpër që do të vendosë jo vetëm për mbijetesën e familjes, por edhe mbi çështjet themelore që kanë të bëjnë me natyrën e shtetit modern! Kjo krizë, që ka filluar para revolucioneve kulturore dhe seksuale të viteve të 1960-ta, ka shkaktuar dukshëm rënien e institucionit të familjes dhe ka minuar qytetërimin tonë. Në referencë me Christopher Dawson-in [“The Patriarchal Family in History” (1933)] dhe Carle Zimmerman-in [“Family and Civilization” (1947)] tërheq paralele të ngjashme me rënien e qytetërimit grek dhe romak [Mulloy: 2003]!

Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim ka dhënë edhe e ashtuquajtura “kulturë popullore” me komponentët e saj: televizionin, filmat, rok-muzikën, videot dhe elementet e tjera të asaj “kulture”, por Dawson-i para 90 vitesh ka paraqitur një problematikë tejet serioze kur shkruante: “Funksionet që kryente më parë kryefamiljari tani po i merr shteti, i cili i edukon fëmijët dhe e merr përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe shëndetin e tyre… Babai nuk e ka më rolin jetësor në familje… Ai është shpesh një i huaj për fëmijët e tij, të cilët e njohin atë vetëm si njeri që vjen për fundjavë” [Dawson: 1933]. Në SHBA, shteti u bë “zot i familjes” prej fillimit të shekullit XX dhe ndihmoi dukshëm për ta shpërbërë, në mënyrë që të ketë fuqi të mjaftueshme “familjare” për të arritur funksionet e qeverisë dhe në këtë mënyrë familja u bë agjenti, skllavi dhe shërbëtorja e shtetit [Zimmerman: 1947].

Ndryshimet në strukturën e institucionit familjar erdhën në mënyrë graduale e pothuajse të padukshme përgjatë brezave! Çdo brez e pranon si “normale” atë që do t’i kishte tronditur gjyshërit e tyre, nëse do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër, si: seksi paramartesor, bashkëjetesa, paligjshmëria, divorci, martesa e homoseksualëve, çerdhet, darkat e ushqimeve të shpejta, anëtarësimi i kafshëve në familje etj. Në kontekstin e këtij ndryshimi, tronditja e gjeneratës së mëparshme është pjesë e emocionit në përbërjen e institucionalizimit, politizimit dhe rebelimit final, ndërkohë që për “liberalët e rinj” nuk dukej aq tragjike, pasi “gjërat ndryshojnë”, kurse ankesa e tyre për “modën e vjetër e të pashpresë” i paraqiste si “konservatorë që e vajtonin të mirën e ditëve të tyre të vjetra”!

Virusi që po kërcënon në masë të madhe shumicën e familjeve perëndimore është divorci, që përbën një kërcënim serioz për privatësinë, liritë civile dhe qeverisjen kushtetuese, pasi fëmijët merren me dhunë nga prindërit e tyre me një sërë pretekstesh të lidhura me divorcin dhe palët që rezistojnë merren në pranga! Të paktë janë sot ata që e dinë se çfarë po ndodhë aktualisht në Perëndim në emër të divorcit, për ndërhyrje të paprecedentë të qeverisë në jetën private, përfshirë fuqinë për të marrë fëmijët, për të grabitur kursimet e familjes dhe për burgosjen e prindërve pa gjyq.

Baskerville [“The War Against Fathers, Marriage, and the Family” (2007)] thotë se makineria shtetërore e divorcit, që përbëhet nga gjykatat e fshehta dhe burokraci të gjera të shërbimeve sociale të financuara nga Federata, zotërojnë kompetencat policore dhe mund të jenë sektori qeveritar më represiv në shoqërinë perëndimore! Ky qe një nga eksperimentet më të guximshme që filloi me revolucionin seksual, kur praktikisht në çdo juridiksion u miratuan ligje që i dhanë fund martesës si një kontratë të detyrueshme. Melanie Philips-i [“The Sex-Change Society” (1999)] shpjegon se si ligjet e divorcit u reformuan nga grupe jopërfaqësuese me agjenda të veçanta, që nuk ishin në përputhje me opinionin publik (f.261).

Mosmarrëveshjet e sotme mbi martesën në fakt filluan me revolucionin e divorcit, kur kërkesat për ripërcaktimin e martesës përfshijnë çiftet homoseksuale si pasojë e ripërcaktimit të martesës nga heteroseksualët përmes divorcit, ndërkohë që homoseksualët e përmendin vetëdëshirën për t’u martuar si dëshmi të sjelljes së tyre seksuale, që të duket si “e natyrshme” dhe jo si shthurje. Aktivisti Andrew Sullivan na thotë se: “aq sa ka divorce në Perëndim, po aq ka lidhje heteroseksuale” në emrin e barazisë civile [The New Republic, 13. 08.2001]!

Për më keq, Frank Furstenberg-u dhe Andrew Cherlin-i, kur shkruajnë për “Divided Families” [familjet e ndara], thonë se 80 për qind e divorceve janë të njëanshme dhe rrallë përfshijnë dy persona që thjeshtë duan të ndahen [Furstenberg & Cherlin: 1991, f.22], por është më tepër një rrëmbim i pushtetit nga një bashkëshort, i ndihmuar nga njerëz që përfitojnë nga procesi gjyqësor, si: gjykatës, avokatë, psikoterapistë, këshilltarë, ndërmjetës dhe punonjës socialë. Me fjalë tjera, është biznes, ku pasojat më të rënda i përjetojnë fëmijët me ndarjen nga prindi, kryesisht babai, mbi të cilin bie edhe barra financiare! Kjo barrë kaloi tek gruaja, pasi ajo u bë “zot shtëpie”! Përqindja e grave amerikane që e drejtonin familjen ishte 15% në vitin 1950 dhe 27% në vitin 1990 [Paterson & Kim: 1992], por nga 1000 gra të anketuara më 2022, 68% janë deklaruar si vendimmarrëse për financat e familjes, 56% për shlyerjen e borxheve dhe 53% për aftësinë rreth menaxhimit të pasurisë familjare. Disa hulumtime, madje, tregojnë se gratë i kanë thyer stereotipat dhe 94% e tyre e kanë marrë kontrollin financave dhe investimeve në familje!

Absurdi qëndron mbi atë se babai, si prind bilogjik i fëmijëve, mund të arrestohet për shoqërim me fëmijët e tij pa autorizimin e qeverisë! Fakti që njerëzit heshtin ose japin justifikime, ndërsa prindërit që i binden ligjit merren në pranga dhe burgosen pa gjyq ngre pikëpyetje serioze për gatishmërinë e njerëzve për ta mbrojtur lirinë. Për më tepër, fëmijët e rritur pa familje nuk përvetësojnë lehtësisht koncepte të tilla si dashuria sakrifikuese, privatësia e familjes, autoriteti prindëror, virtyti qytetar etj., sepse rregullat dhe vlerat me të cilat ata jetojnë vijnë në një masë të madhe nga zyrtarët qeveritarë, të cilët marrin përsipër sovranitetin dhe kontrollin përfundimtar mbi jetën e tyre! Sot rreth njëzet e katër milionë fëmijë amerikanë rriten pa baballarë, një fenomen që lidhet drejtpërdrejt me çdo patologji të madhe sociale të kohës sonë, nga krimi i dhunshëm deri te abuzimi.

Shifrat luhaten varësisht nga burimet, por të dhënat janë vërtetë alarmante. Pas arritjes së nivelit rekord prej 40 vitesh, në Amerikë ka pasur 14.0 divorce për 1000 gra të martuara (2020) dhe 14.56 divorce për 1000 gra të martuara (2022). Në Angli në vitin 2021 kishte 113.505 divorce, një rritje prej 9.6% krahasuar me vitin 2020, kur kishte 103.592 divorce. Në Francë kishte një normë divorci prej 55 në 100 martesa në vitin 2020, shifër kjo ndër më të lartat në Evropë! Në Gjermani është në rënie – në vitin 2022 shkalla e divorcit sillej rreth 35 % kundrejt 52%, që ishte në vitin 2005. Në Japoni ka 250.000 divorce vjetore. India e ka shkallën më të ulët në 0.01%, Mozambiku me 0.04%, Kenia me 0.06% dhe Zimbabve me 0.07%.

Një faktor tjetër që po e shkatërron institucionin familjarë është përhapja gjithnjë më shumë e “dëshirës” për të mbetur një kafshë shtëpiake më shumë se për të pasur një fëmijë! Kjo dukuri në përmasa shqetësuese e detyroi papa Francis-in të deklarojë se të dëshirosh një kafshë në vend të një fëmije “është fenomen i degradimit kulturorë” (2014) dhe “refuzimi i të qenit prind po na largon nga humanizmi” (2021). Raporti i lëshuar nga “Sun Trust Mortgage Survay” dhe i transmetuar më pas në CNBC tregon se 33% i të rinjve ndërmjet moshave 18 dhe 36 vjeç preferojnë të kenë një shtëpi me një kopsht të madh e të rrethuar, për të mbajtur një qen, 25% preferojnë martesën dhe vetëm 19% preferojnë të lindin një fëmijë [CNBC 30 korrik 2017]!

Anketat e bëra në Amerikë na japin një gjendje skandaloze – rreth 85 milionë familje amerikane kanë qen dhe vetëm 35 milionë kanë fëmijë! Për çdo vit lindin 4 milionë foshnja dhe 6 milionë këlyshë! Universiteti i Kalifornisë Jugore ka shprehur shqetësimin për shkallën më të ulët të lindjeve nga vitit 1986. Demografi i këtij Universiteti Dowell Myers ka thënë se: “Numri i lindjeve është një barometër i dëshpërimit… Të rinjtë nuk duan të kenë fëmijë nëse nuk janë optimistë për të ardhmen”. Në vend të fëmijëve ata mbajnë një mace ose një qen, i trajtojnë si t’i kishin fëmijë, i çojnë në parkun e qenve, siç mund të çojnë fëmijët në një shesh lojërash [UCF Today, 19 Gusht 2020]!

Këtu nuk është fundi i botës së çudirave. Shifrat e anketave të bëra në lidhje me këtë problem janë sa skandaloze aq edhe brengosëse! Sipas sondazhit të bërë me 2000 pronarë të kafshëve shtëpiake, ka rezultuar se 76% e atyre që kanë fëmijë, 4 nga 10 kanë deklaruar se kanë vizituar veterinerin për kafshët aq sa kanë vizituar edhe mjekun për fëmijët e tyre! Nga këta 61% thanë se e konsiderojnë kafshën si fëmijën e tyre, 42% thanë se me kafshën e tyre janë “testuar” nëse janë të gatshëm për të pasur një fëmijë. Trajtimin e kafshëve të tyre e bëjnë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë organizimin e tyre në festa ditëlindjesh (29%), me veshje të njëjta (24%) dhe me shikim të shfaqjeve së bashku (21%). 41% e pjesëmarrësve në sondazh kanë festuar “Ditën e Nënës” ose “Ditën e Babait” me kafshën e tyre. Ndërsa me qen jetojnë dhe e qesin jashtë tre herë në ditë, kanë sajuar “ditën e nënës” ose “ditën e babës”, kur një herë në vit i vizitojnë prindërit e tyre! Linjat midis fëmijës dhe kafshës shtëpiake janë aq të paqarta, sa 35% e prindërve pranojnë se e kanë quajtur fëmijën e tyre me emrin e kafshës. Në përfundim sondazhi zbuloi se 58% duan të kujdesen sa më mirë për kafshën e tyre, pasi i llogariten si pjesëtarë të familjes [People, 27 Prill 2021]!

Shumë amerikanë thonë se në vend që të bëhen prindër, zgjedhin të mbajnë një kafshë shtëpiake! Nga 1000 të anketuar vitin e kaluar, 38% kishin vendosur të bëhen pronarë kafshësh shtëpiake në vend që të kenë një fëmijë, 67% prej të cilëve janë të moshave nga 18 deri në 26 vjeç. Kjo përqindje bie në 43% për moshat 27 deri në 42 vjeç dhe në 28% për moshat 43 deri në 58 vjeç! Kostoja dhe komoditeti janë dy nga arsyet kryesore pse të rinjtë amerikanë po priren drejt zotërimit të qenve, për arsyen 74% thanë se “qentë janë më të përballueshëm”, 80% shtuan se duan më pak kujdes, ndërsa 72% thanë se “fëmijët thjesht nuk ishin për ta” [USA Today, 9 Nëntor 2023].

Pronarët e kafshëve shtëpiake i trajtojnë ato më mirë se fëmijët e tyre, nga veshja e deri tek futja në shtrat. Duke folur për “Newsweek”, Amanda Synowiecki nga qyteti Phoenix i Arizonës deklaroi se: “Unë e marr (qenin) me vete kudo, sepse nuk mund ta lë vetëm në shtëpi si një fëmijë. Ai është gjëja e parë që mendoj kur zgjohem dhe gjëja e fundit që mendoj kur shkoj në shtrat… kur shoh tek e tund bishtin dhe më shikon me sytë e tij të vegjël, unë shkrihem nga brenda”. Ajo rregullisht i kontrollon kafshës jashtëqitjen, për t’u siguruar se gjithçka është në rregull me të! Për të mos menduar se janë vetëm gratë të tilla, Newsweek-u jep edhe shembullin e një burri, i cili ishte baba i pesë fëmijëve, por më shumë e donte qenin, të cilit madje ia lyente edhe thonjtë dhe e mbante në prehër derisa i tereshin [Newsweek, 19 Janar 2023]!

Një anketë e bërë në korrik 2023 ka gjetur se 1/4-ta e quanin kafshën e tyre “fëmijë”, ndërkohë që 47% përdorin për kafshën e tyre si pseudonim “My child” [fëmija im] dhe po kështu 1/3-ta e quajnë veten “mama” ose “baba” i kafshës së tyre, afërsisht njëjtë me numrin e njerëzve që përdorin termin “pronar”. 93% e pronarëve të kafshëve shtëpiake amerikane thonë se kafsha shtëpiake me të cilën ata janë më të lidhur “është pjesë e familjes së tyre” dhe 95% mendojnë se “kafshët shtëpiake janë të afta për dashuri”! 39% e pronarëve të kafshëve shtëpiake e mendojnë veten si “prindi” i kafshës shtëpiake, me të cilën ata janë më të lidhur! U blejnë lodra, i veshin për festa, i ushqejnë në pjatat që hanë vetë, kujdesen për “lukun” e tyre, i marrin për pushime familjare dhe kujdesen që restorantet dhe hotelet ku do të kalojnë disa ditë të ofrojnë shërbime edhe për kafshët e tyre! Disa madje indinjohen me vendet që lejojnë fëmijët, por jo qentë, sepse: “kjo është mënyra se si ne i duam qentë njëlloj siç duam fëmijët, nëse ata (kafshët) janë të lumtur edhe ne jemi të lumtur, kur ata (kafshët) lëngojnë edhe ne e ndjejmë dhembjen”, i tha M.A. Wallace intervistuesit për “New York Magazine”. Për t’i hequr habinë, u shpjegua se të qenit prind i një fëmije do të thotë ta rrisësh që një ditë të largohet, por për të qenë “prind” i një kafshe, kjo do të thotë të lidhesh me të deri në vdekje!

Njerëzit që i mendojnë kafshët shtëpiake si fëmijë janë patetikë, por askush nuk mund ta imagjinojë sa e zakonshme është bërë kjo! Mund të jenë të kuptueshëm disa njerëz që nuk janë në gjendje të kenë fëmijë ose për shkaqe rrethanash nuk mund të përballojnë adoptimin e një fëmije dhe prandaj mbajnë një kafshë “si zëvendësim”, por kafshët nuk janë fëmijët tanë, nuk janë foshnjat tona. Ato janë kafshë. Njerëzit që mendojnë në mënyrë legjitime për kafshët e tyre si fëmijë kanë nevojë për ndihmë serioze kurimi, janë të çuditshëm dhe të pashëndetshëm. Në një gjendje normale mendore, transferimi i dashurisë sonë te kafshët shtëpiake nuk mund dhe nuk guxon ta zëvendësojë dashurinë e prindërve për një fëmijë. Kur “vdes” një qen, mund të na vijë keq, por të nesërmen mund të blejmë një tjetër, por nëse na vdes një fëmijë, dhembja nuk na pakësohet as duke pasur një fëmijë tjetër, por mbetet me ne për tërë jetën. Kjo është natyra e Krijimit.

Hulumtimet kanë treguar se shumica e sjelljeve të fituara në fëmijëri e formojnë strukturën e personalitetit, zakonet, besimet dhe vlerat e individit në moshë madhore. Për këtë arsye, nga familja e tij fëmija mund të mësojë njohuri, shkathtësi, sjellje dhe aftësi që nuk mund t’i mësojë askund tjetër. Ai ka nevojë për një mjedis familjar jo vetëm gjatë fëmijërisë dhe foshnjërisë, por në çdo fazë të jetës së tij [Annual Review of Sociology, # 36/2010, f.139–157]. Popujt përparojnë vetëm kur përbëhen nga individë të mirarsimuar në familje dhe me tradita edukimi, sepse për mirë a për keq marrëdhëniet familjare luajnë një rol qendror në formësimin e mirëqenies së një individi gjatë gjithë jetës [Ageing & Society, #29/2009, 783–802].

Nga ana tjetër, njerëzit që rriten pa familje, në komunitet ose që nuk marrin mbështetje të mjaftueshme financiare, morale dhe edukative nga familjet e tyre, e ndjejnë thellë mungesën e kësaj mbështetje gjatë gjithë jetës së tyre, sepse mungesa e një familjeje reflektohet edhe në fusha të tjera gjatë jetës së tij. Të gjitha problemet mentale që i kemi sot si njerëz të rritur, në fakt janë pasojë e ndonjë traume në fëmijëri, por në një proverb të zakonshëm afrikan thuhet se “duhet një fshat për të rritur një fëmijë”, që në thelb do të thotë se përpjekjet për të rritur një fëmijë janë të përbashkëta dhe jo vetëm të prindërve. Kjo nënkupton që fëmijët, përveç prej familjes ndikohen thellësisht edhe nga familjet e tjera që e përbëjnë rrethin e komunitetit ku jeton, duke përfshirë gjyshërit, njerkët, fqinjët, mësuesit, udhëheqësit, mjekët etj.

Roli jetësor i një familjeje në shoqëri është transmetimi i vlerave dhe traditave kulturore, fetare, morale dhe etike nga brezi në brez. Këto vlera dhe tradita të përbashkëta kontribuojnë në kohezionin dhe stabilitetin e përgjithshëm të komunitetit më të madh [Journal of Black Psychology, #35(4)/2009, f. 387–406]. Prandaj, sot njerëzit kanë nevojë për platformë të balancuar që ua jep besimin, por nuk ua rrëmben shkencën, ua jep ahiretin, por nuk ua çrrënjosë dynjanë, ua jep konceptin e adhurimit, por nuk i privon nga të mirat e kësaj jete. Në esenë klasike të Harperit të vitit 1976, Michael Novak-u e përshkroi këtë funksion thelbësor të familjes: “Familja është baza e aftësive ekonomike, zakoneve të parasë, qëndrimeve ndaj punës dhe arteve të pavarësisë financiare. Familja është një agjenci më e fortë e suksesit arsimor sesa shkolla, një mësuese më e fortë e imagjinatës fetare sesa kisha… Nëse këtu lëndohen foshnjat, jo të gjitha institucionet e shoqërisë mund t’i bashkojnë”! /revistashenja

You may also like