Krimineli më i rrezikshëm në Ekuador arratiset nga burgu: Kush është ‘Fito’, lideri i kartelit Los Choneros

by admin
Spread the love

Autoritetet në Ekuador janë angazhuar maksimalisht për të gjetur një nga kriminelët “më të rrezikshëm të vendit”, pasi zyrtarët zbuluan të dielën se ai ishte arratisur nga qelia në një qendër paraburgimi në qytetin port të Guayaquilit.

Zyra e Prokurorit të Ekuadorit tha se ka hapur një hetim për arratisjen e José Adolfo Macías Villamar, i njohur si Fito, nga burgu Litoral, kompleksi më i madh dhe gjoja më i sigurt i burgut në vend.

Kjo erdhi pasi komandanti i policisë kombëtare të Ekuadorit, gjenerali Cesar Zapata, u tha gazetarëve gjatë një konference për shtyp të dielën se forcat e armatosura vunë re se një i burgosur në burgun e sigurisë së lartë mungonte.

“Deri më tani nuk dihet vendndodhja dhe mënyra e arratisjes së Fitos”, tha zëdhënësi presidencial Roberto Izurieta në konferencën për shtyp.

Ai tha se një kontigjent prej 3,000 personash, pjesëtarë të forcave elite të vendit, janë në kërkim të narkotrafikantit.

“Ne nuk mundemi, siç e kuptoni, të japim shumë detaje të këtij operacioni”, tha Izurieta. “Ne jemi të bindur se me mbështetjen e forcave të armatosura dhe policisë dhe profesionalizmin e tyre do ta përfundojmë me sukses këtë kërkim”, shtoi ai.

Kush është Fito?

I njohur si një nga kriminelët më të rrezikshëm të Ekuadorit, Fito është lideri i kartelit Los Choneros, një bandë e rrezikshme që merret me trafikun e drogës dhe zhvatjen. Shumë nga anëtarët e saj edhe pse janë të burgosur kanë një ndikim të madh në trafikun e drogës në Amerikën Latine.

Ashtu si bandat e tjera, aktiviteti kriminal i Los Choneros besohet se shtrihet jashtë mureve të burgut, madje thuhet se funksionon si një krah operativ i kartelit Sinaloa të Meksikës.

Fito ishte i arrestuar që nga viti 2011, por nga burgu ai u bë lideri i Los Choneros vetëm pas vrasjes së ish-kreut Jorge Luis Zambrano González (i cili njihej si Rasquiña) në vitin 2020. Fito po vuante një dënim 34-vjeçar për trafik droge, krim të organizuar, dhe vrasje.

Kjo nuk është hera e parë e arratisjes nga burgu për kreun 44-vjeçar të bandës së rrezikshme. Në shkurt 2013, ai u arratis nga La Roca, një burg i sigurisë maksimale në kompleksin e burgut Litoral, para se të kapej në maj të atij viti.

Fito ka qenë gjithashtu i dyshuar si urdhëruesi i vrasjes së liderit të opozitës në Ekuador.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të vendit vitin e kaluar, kandidati Fernando Villavicencio – i cili foli kundër karteleve të fuqishme të drogës në Ekuador- u vra në kryeqytetin Quito në gusht. Ditë para vdekjes së tij, Villavicencio tha se ai dhe ekipi i tij kishin marrë kërcënime nga Fito dhe Los Choneros. Tre ditë pas atentatit, Fito u transferua sërish në burgun e sigurisë maksimale në La Roca.

The post Krimineli më i rrezikshëm në Ekuador arratiset nga burgu: Kush është ‘Fito’, lideri i kartelit Los Choneros appeared first on American Eye.

You may also like