Kreu i BFI-së me mesazh urimi për Fitër Bajramin: Në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës, forcon dashurinë njerëzore

by admin
Spread the love

Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai përmes rrjeteve sociale ka uruar besimtarët për Festën e Fitër Bajramit. Fetai thotë se lutet që Zoti t’i pranojë të gjitha veprat tona të mira, agjërimin tonë dhe të gjitha veprimet bamirëse gjatë muajit të Ramazan.

Në vijim urimi i plotë i Fetahut:

Mesazhi i Reisul Ulemasë, H.Hfz. Shaqir ef. Fetai, me rastin e Fitër Bajramit 2023

أعوذ بالله …. بسم الله

قَدْ أَفْلَحَ مَن تَزَكَّى وَذَكَرَ اسْمَ رَبِّهِ فَصَلَّىٰ

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

“I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që falet!” Kaptina “El A’la:14-15

Të nderuar besimtarë e besimtare, vëllezër e motra !

Sot, po e përcjellim muajin e bekuar të Ramazanit. Ndahemi nga ky muaj i begatë me bindje të thellë se me përkushtimin më të madh е kryem agjërimin e ditëve të tij, që është një ndër obligimet themelore të Islamit. Gjatë këtij muaji flijuam shumë gjëra, në shenjë respekti e ibadeti ndaj Krijuesit tonë, përforcuam lidhjen tonë me Zotin me të vetmin qëllim që të jemi në përputhje me fjalët e Allahut të Gjithmëshirshëm kur thotë: ”… Që të jeni të devotshëm”.

Si rezultat i përfundimit me sukses muajin e bekuar të Ramazanit, në agimin e ditës së nesërme besimtarët u drejtohen xhamive për ta falur namazin e Fitër Bajramit që është kurorëzim i të gjitha ibadeteve tona të bëra gjatë këtij muaj.

Pra, i tërë ummeti dhe ne si pjesë e tij, me gëzimin më të madhë po e festojmë Fitër Bajramin. Në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës, sepse kjo festë mbjellë gëzimin e harenë në familjet dhe zemrat tona, forcon dashurinë njerëzore.

Por, në këto ditë të hareshme, shkolla e Ramazanit na mësoi që të mos harrojmë njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadekatul Fitrit, siç na ka treguar i Dërguari i Zotit se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta.

Me një fjalë, Festa e Fitër Bajramit është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores, i moralit ndaj amoralit, i durimit ndaj mosdurimit, i hyjnores ndaj satanikes. E gjithë kjo na bën të jemi njerëz të aksioneve, njerëz që thirrim në kultivimin e veprave të mira dhe njerëz që pengojmë veprimet e këqia.

Kjo është rruga e vërtetë dhe kjo është ngritja e vetëdijes së besimtarit që në momentin e duhur të jetë i gatshëm t’u japë përgjigje sfidave dhe situatave që i sjell koha në të cilën ai jeton. Të jetë i gatshëm që të vë në praktikë sjelljen e mirëqenies, të vlerësoj veten në raport me të tjerët, t`i dëshiroj tjetrit atë që e dëshiron për vete.

Besimtarë të nderuar, vëllezër e motra.

Në këto ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm që të na japë fuqinë imanit, mundësinë e largimit nga mëkatet, guximin e faljes dhe të pajtimit, buzëqeshjen me të tjerët, për të kultivuar një të tashme dhe të ardhme edhe më të ndritur, për të krijuar mundësi dhe kushte më të mira në shoqërinë tonë me qëllim që të ndërpritet trendi i migrimeve ekonomike. Lusim Allahun e plotëfuqishëm t’u japë gëzimin dhe shpresën në zemrat e skamnorëve, njerëzve me telashe fizike-shpirtërore, me qëllim që sot dhe gjithmonë në jetë të jemi të lumtur dhe të gëzuar, e mbi të gjitha – falënderues ndaj të Madhit Zot për mirësite Tij që na i ka dhënë.

Vëllezër e motra,

Kudo që të jeni, më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, të organeve, institucioneve fetare-arsimore të saj dhe në emrin tim t’ju shprehim urimet më të përzemërta, duke iu lutur Allahut fuqiplotë që t’i pranojë me mëshirën e Tij të gjitha ibadetet tona, agjërimin tonë dhe të gjitha veprat tona të bëra gjatë muajit Ramazan.

E gëzofshi Fitër Bajramin.

Shkup, 20 Prill 2023 Reisul-Ulema i BFI-së

H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

You may also like