Krenari shqiptare dhe shembull për t’u ndjekur, rrugëtimi “i artë” i Ballkanit të Ilir Dajës

by admin
Spread the love

Ballkani vijon të jetojë një nga ëndrrat më të bukura, teksa pas tri ndeshjeve të para të fazës së grupeve në Conference League e sheh veten me katër pikë, po aq sa tri skuadrat e tjera, por për shkak të golave të shënuar ndodhet aktualisht në vendin e parë.

Ekipi nga Suhareka do të luajë takimin e radhës në Prishtinë, ndaj Sivasporit, kundërshtar që të enjten e mundi në Turqi me rezultatin 3-4 (golin e fitores e shënoi Krasniqi në minutat e fundit të lojës).

Sfida që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë shumë e rëndësishme për ekipin e Ilir Dajës, që, në rast suksesi, do të pretendonte një nga dy vendet e para, për të prekur fazën tjetër të këtij kompeticioni, çka do të ishte diçka e magjishme.

Pakkush do ta kishte menduar në momentin që Ballkani mori titullin e parë në histori se do të arrinte në pikën që do të diskutonte kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të një kompeticioni të UEFA-s, por mbi të gjitha kjo aventurë i ka sjellë një shumë të madhe të ardhurash financiare ekipit nga Suahreka, një bazë e fortë e ndërtimit të një klubi që mësoi rrugën në arenën ndërkombëtare.

Në ndeshjen me Sivasporin, Ballkani aktivizoi 15 lojtarë shqiptarë dhe Zarubicën në sekondat e fundit të ndeshjes. Një tregues tjetër se, ndonjëherë, nuk është e nevojshme që të importohen lojtarë për të arritur te suksesi. Ilir Daja ka në skuadrën e tij dy lojtarë nga Mali i Zi dhe një nga Brazili.

Ballkani mori 2.94 milionë euro për kualifikimin në grupe, arkëtoi 166 mijë euro nga barazimi me Clujin, ndërsa në arka shkuan dhe 500 mijë euro pas fitores ndaj Sivasporit. Në total 3.6 milionë euro janë arkëtuar vetëm nga UEFA për pjesëmarrjen në këtë edicion në Conference League, shumë që do të rritet nëse kampionët e Kosovës do të kenë të tjera rezultate pozitive apo në rastin më të jashtëzakonshëm të kalojnë fazën e grupeve.

Për trajnerin Ilir Daja kjo është hera e dytë që arrin në fazën e grupeve të një kompeticioni të UEFA-s, pasi edhe në edicionin 2017-2018 u kualifikua në grupet e Europa League-s me Skënderbeun. Daja do të kërkojë që në këto tri ndeshje që kanë mbetur në grupe të përmirësojë rekordin e tij, pasi me korçarët mori 5 pikë, ndërsa ka shanset maksimale që jo vetëm të ketë akoma dhe më shumë sukses, por dhe të tentojë të avancojë në fazën tjetër, çka do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Sigurisht, këtë herë bëhet fjalë për një kompeticion ku nuk garojnë skuadra të të njëjtit nivel me ekipet e Europa League-s, por kjo për Ballaknin nuk do të thotë asgjë, për të provuar të ketë një rrugëtim historik në një kompeticion të UEFA-s.

Ballkani ka marrë vëmendjen e të gjithëve, teksa është kthyer edhe në një ambasador për Kosovën, duke ekspozuar një tjetër fushë të shtetit më të ri në Europë. Kampionët e Kosovës nuk janë thjesht skuadra e Suharekës, por është skuadra e të gjithë shqiptarëve anembanë botës, të cilët duan që të shohin edhe përtej këtyre tri ndeshjeve flamurin kuqezi, që nuk ka munduar askund deri më tani, në shkallët e stadiumeve të ndryshme të Europës.


Top Channel

You may also like