Kosova paraqet nëntë boksierë për Evropianin në Beograd

by admin
Spread the love

Nëntë boksierë i ka paraqitur Federata e Boksit e Kosovës për Kampionatin Evropian që mbahet në Beograd të Serbisë. Kampionati Evropian për boksierët e nivelit senior mbahet prej 15 deri më 29 prill.

Në të vërtetë gjasat që boksierët e Kosovës të garojnë në Beograd janë të vogla. Megjithatë, Federata e Boksit e Kosovës ka vendosur që të kryejë pjesën e saj të punës. Ka paraqitur ekipin.

Bashkim Bajoku, Lorent Murati, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami, Jozef Rrasi, Taulant Jakupi, Donat Syla e Shpejtim Shabani janë boksierët e përzgjedhur për Evropian. Është paraqitur edhe boksierja Donjeta Sadiku. Kosova në asnjë ngjarje nuk paraqitet me kaq shumë boksierë. Por për Evropianin e veçantë edhe numri i pjesëmarrësve potencialë është i veçantë.

Një muaj më parë, Federata e Boksit e Kosovës i është drejtuar me letër zyrtare Unionit Evropian të Boksit (EUBC). Me përmbajtjen e letrës janë njoftuar edhe Federata Botërore e Boksit Amator (IBA) dhe Federata e Boksit e Serbisë, si organizatore teknike e Evropianit.

Përgjigjja deri më tani ka munguar. Dhe kjo është shenjë që pjesëmarrja e barabartë e boksierëve kosovarë nuk pritet të lejohet.

Në të kaluarën boksierët kosovarë nuk janë lejuar të paraqiten në ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në Serbi. Në disa raste boksierët nuk janë lejuar të futen në territorin e Serbisë, ndërsa në raste të tjera nuk u është garantuar pjesëmarrja me simbole, përkatësisht pjesëmarrja e barabartë me delegacionet e tjera.

You may also like