KOREJA E JUGUT – Shëndetësia në krizë, mijëra mjekë japin dorëheqjen

by admin
Spread the love

SEUL, 20 shkurt /ATSH-AA/ – Duke shkaktuar një krizë në kujdesin ndaj pacientëve, mijëra mjekë praktikantë të martën dhanë dorëheqjen nga detyra në Korenë e Jugut në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për të rritur numrin e vendeve të studentëve të mjekësisë.

Megjithatë, presidenti Yoon Suk Yeol u bëri thirrje mjekëve protestues që “të mos mbajnë peng jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

Rreth 6 415 mjekë praktikantë në 100 spitale kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre ndërsa rreth 1.600 prej tyre kanë pezulluar punën, raportoi Yonhap News me bazë në Seul.

Koreja e Jugut ka rreth 13 000 mjekë praktikantë, ndërsa qeveria urdhëroi 831 mjekë praktikantë të kthehen në punë.

“Mjekët praktikantë që janë faktor kyç në fushën e mjekësisë dhe studentët e shkollave të mjekësisë që janë faktor kyç për ardhmërinë e mjekësisë nuk duhet të ndërmarrin veprime kolektive duke marrë peng jetën dhe shëndetin e njerëzve”, tha presidenti.

Yoon tha se disa “operacione për pacientët me kancer tashmë janë shtyrë për shkak të grevës”.

Zëvendësministri korean i Shëndetësisë Park Min-soo Park tha se dorëheqjet e mjekëve “çuan në një ndërprerje në shërbimet mjekësore, siç është anulimi i operacioneve”.

Mjekët protestues pretendojnë se qeverisë “i mungon transparenca” dhe se vendimi për rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë do të “kompromentojë” cilësinë e arsimit dhe shërbimeve mjekësore.

Qeveria, megjithatë, tha se rritja me 2.000 vende është “e nevojshme” për të trajtuar mungesën e mjekëve, veçanërisht në zonat rurale dhe specialitetet thelbësore.

Aktualisht, kuota vjetore e Koresë së Jugut për regjistrimet e mjekësisë është 3.058 vende.

Të premten e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e vendit ndaloi dorëheqjet në shkallë të gjerë dhe nxori masa kundër dorëheqjeve kolektive të mjekëve.

Gjithashtu, për të menaxhuar turmën e pacientëve për shkak të pasojave nga dorëheqjet, spitalet e drejtuara nga qeveria në Seul vendosën të zgjasin orët normale të funksionimit.

Sistemi i kujdesit shëndetësor të Koresë së Jugut mbështetet shumë te mjekët praktikantë, veçanërisht në rastet e kujdesit urgjent dhe akut.  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like