Konjufca i shpreh mirënjohje për mbështetjen, presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës

by admin
Spread the love

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq me bashkëpunëtorë, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin tonë.

Në takim u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa theksoi se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.

Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviq e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Ai po ashtu shprehu domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Konjufca dhe presidenti malazez Gjukanoviq i vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet ndërshtetërore dhe shprehën përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit me interes për shtetet tona.​

 

You may also like