Konflikti mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit/ Shefi i OKB-së: Edhe luftërat kanë rregulla

by admin
Spread the love

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, teksa po vazhdon konflikti midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

Ai tha më 13 tetor se “edhe luftërat kanë rregulla”, duke paralajmëruar kundër përdorimit të pengjeve si mburoja njerëzore.

“Situata në Gazë ka arritur në një nivel të ri të rrezikshëm”, tha Guterres, para se Këshilli i Sigurimit i OKB-së të takohet për të diskutuar për situatën.

“Na duhet qasje e menjëhershme në mbarë Gazën, në mënyrë që të mund të dërgojmë karburante, ushqim dhe ujë për të gjithë ata që kanë nevojë”, tha ai.

Guterres shtoi se në Rripin e Gazës, që është i bllokuar, sistemi i shëndetësisë është buzë kolapsit.

Thirrjet e Guterres vijnë pasi autoritetet izraelite kanë paralajmëruar 1.1 milion palestinezë që të largohen për në jug të Rripit të Gazës, mes frikës se Izraeli do të nisë një sulm tokësor në këtë territor.

Guterres tha se “ligji ndërkombëtar dhe ligji për të drejtat e njeriut duhet të respektohen. Civilët duhet të mbrohen dhe asnjëherë nuk duhet të përdoren si mburoja njerëzore”.

“Është e rëndësishme që të gjitha palët – dhe ato që kanë ndikim mbi to – të bëjnë gjithçka që këta hapa të arrihen”.

Lidhur me paralajmërimin për evakuimin e palestinezëve, Guterres tha se një eksod i tillë do të shkaktonte “katastrofë humanitare”.

Që nga sulmet e koordinuara nga ajri, toka dhe deti që Hamasi kreu më 7 tetor ndaj Izraelit, ky i fundit ka bombarduar Gazën dhe e ka rrethuar këtë territor. Autoritetet izraelite kanë thënë se do të mposhtin Hamasin.

Ky grup militant udhëheq Gazën që nga viti 2007 dhe pas paralajmërimit të izraelit për evakuim, u ka bërë thirrje palestinezëve në Rripin e Gazës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Si pasojë e dhunës, mijëra persona janë vrarë në Izrael dhe Gazë. Po ashtu, afër 150 pengje janë marrë nga militantët e Hamasit./ rel


Top Channel

You may also like