Kompanitë në rajonin e Shkupit i kemi mbështetur me një miliard e 200 milionë denarë mbështetje financiare për investime – Shqip

by admin
Spread the love

Vetëm në rajonin e Shkupit, Qeveria ka paguar rreth 1 miliard e 200 milionë denarë ndihmë financiare për 181 kompani përmes Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve (LMFI), tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës së sotme në kompaninë “Neho Isni” nga Shkupi.

Në deklaratën e tij pas xhiros së bërë kapaciteteve prodhuese për prodhimin e akullores, të cilin kjo kompani e bën me sukses që nga viti 2012, si një nga dy prodhuesit e vetëm në tregun vendor, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se kompania Neho Isni ishte e mbështetur nga Qeveria, ku ndihma e paguar për “Mbështetje për rritjen e investimeve kapitale” dhe “Mbështetje për rritjen e konkurrueshmërisë në treg” arriti në mbi 6 milionë e treqind mijë denarë.

“Me këtë rast dua të theksoj se kompania e blen lëndën e parë për prodhimin e akullores ekskluzivisht nga kompanitë vendore, me mbi 70% të prodhimit të destinuar për tregjet rajonale dhe evropiane dhe pjesa tjetër plasohet në tregun e vendit. Në mbështetje të kompanive që përdorin lëndë të para vendore promovojmë qëndrueshmërinë dhe forcimin e ekonomisë vendore, sepse përmes kësaj qasjeje mbështeten fermerët, prodhuesit dhe furnizuesit lokalë. Kjo kontribuon në mënyrë aktive në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se ndihma financiare e Qeverisë për “Neho Isni” ka rezultuar me 40 vende të reja pune.

“Sot kompania Neho Isni ka të punësuar 90 persona, nga të cilët janë hapur 40 vende pune për kohëzgjatjen e projektit investues nga viti 2018 deri në vitin 2022. Strategjia jonë përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare për kompanitë vendore është të identifikojmë sektorët që mund të kenë vlerë të shtuar për të qenë më konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe në tregjet e jashtme”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Plani i Rritjes Ekonomike i krijuar në vitin 2017 konfirmon se kjo Qeveri e njeh rrugën e duhur për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

“Vetëm në rajonin e Shkupit janë mbështetur 181 kompani, të cilat deri më sot kanë marrë rreth 1 miliard e 200 milionë denarë ndihmë financiare për ciklet e tyre investuese, me çka janë krijuar vende të reja pune për qytetarët tanë”, tha Bytyqi.Menaxheri i kompanisë, Orhan Shaqiri, falënderoi Qeverinë për ndihmën financiare, e cila tha se është e një rëndësie të veçantë për ta në zgjerimin e kapaciteteve dhe punësimeve të reja dhe inkurajoi kompanitë që të hyjnë në cikle të reja investimi që do të rezultojnë në vende të reja pune./KlanMacedonia

You may also like