Kompanitë evropiane akuzohen për eksport pesticidesh të ndaluara drejt Brazilit (fotot)

by admin
Spread the love

Pesticide të ndaluara në Bashkimin Evropian prej rrezikut ndaj shëndetit njerëzor po eksportohen dhe përdoren në ferma të Brazilit, nga të cilat furnizohet Nestlé dhe kompani te tjera qe shesin përsëri ne Evropë, thuhet në një investigim të fundit nga Britania.

Evropa ka disa nga kompanitë më të mëdha kimike, duke përfshirë atë zvicerjane Syngenta dhe korporatat shumëkombëshe gjermane BASF e Bayer.

Por një numër pesticidesh e fungicidesh (vrasës parazitësh kërpudhorë) që ata prodhojnë, janë ndaluar në BE prej lidhjeve me shkaktimin e kancerit, problemeve të riprodhimit dhe sëmundjeve neuro-degjeneruese.

Megjithë ndalimin e tyre në BE, miliona dollarë nga këto produkte po eksportohen në fermat e Brazilit që furnizojnë tregun ndërkombëtar të sheqerit, thuhet në raportin e grupeve investigative ‘Lighthouse Reports’ e ‘Repórter Brasil’.

Dokumente të bujqësisë braziliane të marra në kuadër të ligjeve të lirisë së informacionit tregojnë se një kimikat fungicid i krijuar nga BASF me përbërie epoksikonazoli, i ndaluar në BE, është spërkatur në të paktën dy plantacione sheqeri të cilat furnizojnë Nestlé.

Një nga firmat që përdorin këtë fungicid është pjesë e korporatës braziliane të sheqerit Copersucar, e cila ka shitur në Evropë 1miliardë euro sheqer në vitin 2020.

Në shtetin e  São Paulo, plantacioni Usina Atena, po hetohet për pasojat në shëndetin e banorëve që jetojnë në afërsi pas spërkatjes me kimikate të fermës.

Zyrtarë në São Paulo zbuluan se pesticidi i Syngenta Priori Xtra përmban substancat e ndaluara në BE, ashtu si dhe insekticidi Regent 800WG, i prodhuar nga BASF, dhe Certero, i prodhuar nga Bayer, ku përfshihen ingredientët e ndaluar fipronil e triflumuron.

Bayer e BASF vijojnë të thonë se produktet e tyre janë të parrezikshme për njeriun e mjedisin.

Një zëdhënës i Nestlé thotë se furnizuesit e kompanisë respektojnë standardet e praktikat bujqësore.

Ndërsa një zëdhënës i agjencisë rregullatore të pesticideve në BE, DG Sante, tha se eksporti i pesticideve të ndaluara do të eliminohet gradualisht, sipas strategjisë së qëndrueshmërisë së kimikateve, por nuk dha asnjë afat kohor./TheGuardian/