Komisioni i gjyqtarëve spanjollë dënon vendimet e fushës. Arbitrat: Dy gola të Realit, të parregullt

by admin
Spread the love

Arbitrimi në Real Madrid-Almeria vazhdon që të shtojë kapituj të rinj. Siç tregon Manu Karrenjo i “El Largueros”, Komiteti i Arbitrave në Spanjë ka pranuar pas rishqyrtimit të pamjeve se Hernandez Hernandez, i cili ishte në dhomën e VAR-it, ka gabuar në verdiktin e dy nga tri rishikimeve decizive të rasteve pikante, të cilat ndryshuan edhe rrjedhën e ndeshjes.

Grupi arbitrar është tashmë gjithmonë e më shumë i bindur se përgjegjësit e gjykimit në “Santiago Bernabeu” gabuan në vërshëllimin e penalltisë, pas prekjes së topit me dorë nga ana e Kaikit dhe në rastin e golit të barazimit të Viniciusit, ku më shumë sesa supi duket sikur braziliani është ndihmuar nga krahu për të dërguar topin në rrjetë. Në aksionin e golit të parë, analizimi i rastit nga ana e Komitetit të Arbitrave nënvizon se Hernandez Hernandez ka gabuar në gjykim, duke mos marrë parasysh të gjithë situatën e aksionit, por është përqendruar vetëm te një moment. Vëmendja u përqendrua e gjitha te fakti nëse dora e Kaikit ishte në pozicion natyral apo jo, ndërkohë që nuk është vlerësuar fakti se dy madrilenët ndikojnë:

Rydiger shtyn me duar, ndërsa edhe Hoselu e detyron që të bëjë lëvizjen në fjalë për të mbrojtur topin. Gabimi tjetër te goli i Viniciusit arsyetohet me faktin se pasi kryesori Maeso akordoi faull në favor të Almerias, duke qenë në pozicion shumë të mirë, nuk kishte pse VAR-i të ndërhynte për të riparë momentin. Aq më tepër që pamjet të cilat VAR-i ja ofroi kryesorit, asnjëra nuk tregonte qartë nëse prekja, devijimi drejt rrjetës i topit nga ana e Viniciusit ishte me dorë apo me sup. Gjithsesi, Komiteti i Arbitrave Spanjë edhe pse nënvizon se këta dy gola për Realin e Madridit duheshin anuluar, ata nuk e ka dënuar gjyqtarin. Përkundrazi, Hernandez Hernandez do të jetë sërish në pozicionin e tij, në sallën e VAR-it, në ndeshjen që sot Atletiko e Madridit do të luajë ndaj Sevijes për Kupën e Spanjës, me shpresën se gjyqtari nuk do të marrë më vendime si ato me Realin.

Në të njëjtën kohë, arbitrat spanjollë kanë denoncuar në organet ligjzbatuese edhe rrjedhjen e bisedës së VAR-it për ndeshjen në “Bernabeu”, pasi dikush nga brenda sektorit duket se ka përfituar për ta dëgjuar, përvetësuar dhe më pas shitur atë për opinionin publik. Çështja anë fjalë do të hetohet në rreptësi totale, ndërkohë që raportohet se Federata Spanjolle do të japë shpejt dënimin për lojtarin e Almerias, Gonzales Melero, pasi akuzoi ashpër arbitrat për grabitje pas ndeshjes.

JETON STAMOLLA -PANORAMASPORT.AL

You may also like