Komisioni Evropian ndërpret të gjitha pagesat për palestinezët pas sulmit të Hamas

by admin
Spread the love

Komisioneri i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi tha sot se blloku ka ndërprerë “menjëherë të gjitha pagesat” ndaj palestinezëve prej asaj që quajti “masa e terrorit dhe brutalitetit” të sulmit të Hamas në Izrael.

Njoftimi i Varhelyi vjen disa orë pasi BE theksoi se nuk do të dërgoheshin para evropiane në duar të Hamas, kontaktet me të cilët janë ndërprerë prej vitesh kur grupi është etiketuar terrorist.

Nuk kishte qartësime nëse lëvizja përfshinte të gjithë ndihmat humanitare për palestinezët.

Varhelyi tha se “si donatori më i madh për palestinezët, Komisioni Evropian po bën një rivlerësim të të gjithë kuadrit të ndihmave,” për të cilat ai tha se arrijnë në 691 milionë euro.

Varhelyi shtoi se masa përfshinte “ndalimin e të gjitha pagesave, rishikim të projekteve dhe propozimeve të buxhetit … deri në një njoftim të mepasshëm.”

BE thotë se është donatori më i madh për palestinezët dhe se mbron zgjidhjen e konfliktit ‘me dy shtete’, që ka qenë linja kryesore e BE, që prej akordit të Oslos në 1993 mes Izraelit dhe Organizatës së Çlirimit të Palestinës.

Ministrat e jashtëm evropianë pritet të takohen në kryeqytetin e Omanit, Muscat, nesër për të diskutuar situatën.

Varhelyi shtonte se gjërat do ndryshojnë.

“Tashmë duhet të trajtohet baza për arritjen e paqes dhe bashkë-ekzistencës. Nxitja e urrejtjes dhe lartësimi i terrorit ka helmuar mendjet e shumë njerëzve”, shkruante komisioneri.

Sot komisioni Evropian përpiqej të bënte një vijë ndarjeje mes Hamas, të cilin e konsideron terrorist, dhe popullit palestinez, të cilët janë në nevojë për ndihmë humanitare.

BE tha se ka dhënë ndihmë humanitare për nevojat bazë palestinezëve prej vitit 2000 me agjencitë e saj dhe të OKB, në rreth 700 milionë euro për Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

Vendimi u mbështet nga Gjermania dhe fqinji saj Austria, që thanë se po pezullonin projektet e zhvillimit për zonat e Palestines.

Gjermania shtonte se nuk do të ndërpresë ndihmën humanitare që jep me anë të OJQ-ve ndërkombëtare dhe OKB, tha zëdhënësi i ministrisë Christian Wagner duke shtuar se shumica e 72 milionë eurove të zotuara për këtë vit ishin paguar dhe puna do të vijonte.

Austria tha se do të rishikojë projektet për Palestinezët dhe do të konsultohet me partnerët.