Komisioni Evropian akuzohet për ‘financim të diktatorëve’ pas marrëveshjes me Tunizinë për emigracionin (fotot)

by admin
Spread the love

Deputetë të Komisionit të Drejtësisë së Parlamentit Evropian thonë se fondi prej €150 milionë ka shkuar drejtpërdrejt në xhepat e presidentit të vendit Kais Saied.

KE po akuzohet se ‘mban me rrogë’ diktatorët nga zyrtarë të vjetër të PE, të cilët pretendojnë €150 milionë që i dha Tunizisë në marrëveshjen e vitit të shkuar për ndalimin e emigracionit, kanë përfunduar në dorë të presidentit.

Grupi i euro-deputetëve të komisionit ka bërë deklarimet e bujshme për trupin ekzekutiv të Brukselit, duke shprehur shqetësim se Ursula von der Leyen, po përgatit një marrëveshje të ngjashme dhe me Egjiptin.

Rrjeti Financial Times shkruante sot se marrëveshja me Egjiptin do të nënshkruhet të dielën dhe arrin në 7 miliardë euro.

Deputetët akuzojnë komisionin se refuzon t’i përgjigjet pyetjeve për akordin me Tunizinë dhe se kërkon të kryejë marrëveshje të tilla me vende afrikane, pa marrë parasysh nivelin e demokracisë apo të korrupsionit në ato vende, shkruan e përditshmja britanike TheGuardian.

“Kjo është si të mbash me rrogë diktatorët e rajonit, dhe nuk është Evropa që do të donim të shikonin”, tha euro-deputeti francez Mounir Satouri, i komisionit të punëve të jashtme të PE.

Në një konferencë Strasbourg, ai pretendonte se paratë për Tunizinë si pjesë e uljes së valës së emigracionit drejt Italisë, ishin devijuar dhe €150 milionët e projekteve të miratuara nga BE, ishin transferuar direkt te presidenti i vendit.

Eurodeputetja daneze Karen Melchior, tha se shqetësimet e parlamentarëve për marrëveshjen me Tunizinë nuk ishin dëgjuar dhe komisionerët refuzonin të përgjigjeshin.

“Si mund të kemi një memorandum mirëkuptimi kur jepet buxheti pa kushte për Tunizinë dhe gjërat po shkojnë keq e më keq”, tha Melchior.

“Të nënshkruash marrëveshje me President Saied, që vijon të shtypë demokracinë dhe opozitën në Tunizi, nuk është mënyra si Evropa duhet të veprojë në politikën e jashtme”.

Edhe kreu i komisionit të të drejtave të njeriut Udo Bullman, dënonte atë që quante ‘marrëveshje të fshehtë që ishte kaluar me shpejtësi’.

“Komisioni duhet të shpjegojë pse kishte kaq shumë urgjencë për marrëveshjen verës që shkoi, duke kaluar paratë pa asnjë debat kritik”, tha ai duke kërkuar përgjigje nga komisioneri i zgjerimit  Olivér Várhelyi, dhe nga von der Leyen./TheGuardian/