KOMENT – Zbulimi i varreve në Ukrainë, një kujtim i tmerrshëm i trashëgimisë ruse

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 17 shtator /ATSH-AFP/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se Rusia po sillet në mënyrë të tmerrshme dhe ka të ngjarë të jetë përgjegjëse për krimet e luftës pas zbulimit të varreve masive në Ukrainë.

“Kjo është pjesë…, që shkakton tmerr, e një historie të vazhdueshme sa herë që trupat ruse tërhiqen nga vendbanimet ukrainase që ato kanë pushtuar.”

“Ne shohim atë çfarë ka mbetur pas pushtimit rus. Dhe ky zbulim i fundit i 440 varreve masive në Izyum është një kujtim i tmerrshëm i trashëgimisë ruse”, tha ai, duke iu referuar qytetit lindor të Ukrainës.

Blinken u bëri thirrje ukrainasve që të ruajnë provat për të dokumentuar mizoritë, duke theksuar se duhet të mbahet përgjegjësi.

“Në shumë raste, këto do të përbënin krime lufte, dhe unë mendoj se është korniza e duhur përmes së cilës kjo mund të shihet”, tha Blinken.

Blinken mirëpriti gjithashtu atë që ai e quajti presion në rritje ndaj presidentit Vladimir Putin, i cili zhvilloi dje një takim me liderët e Kinës dhe Indisë në qytetin e Uzbekistanit, në Samarkand.

“Unë mendoj se ajo që po dëgjoni nga Kina, India reflekton shqetësimet në mbarë botën për efektet e agresionit rus ndaj Ukrainës, jo vetëm ndaj popullit të Ukrainës”, tha Blinken, duke folur së bashku me ministrin e Jashtëm të Jordanisë.

“Unë mendoj se kjo rrit presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund agresionit’, shtoi ai.

Kryeministri i Indisë, Narendra Mod, një partner historik i Rusisë që ka lidhje me SHBA-në i tha Putinit të premten se “nuk ishte koha për luftë”.

Një ditë më parë, Putini vuri në dukje shqetësimet e presidentit kinez Xi Jinping, i njohur si aleati më i fuqishëm i Rusisë në skenën globale.

Zyrtarët amerikanë thanë se mbështetja e Kinës për Moskën ka qenë kryesisht retorike dhe se Pekini ka kundërshtuar kërkesat për pajisje ushtarake, duke e detyruar Moskën t’i drejtohet Koresë së Veriut dhe Iranit.

Javën e kaluar, Blinken u takua me ukrainasit që dokumentonin abuzimet teksa vizitonte Irpin në periferi të kryeqytetit të Kievit.

Por Blinken përsëriti pikëpamjen e presidentit Joe Biden për ta shpallur Rusinë një shtet sponsorizues te terrorizmit, një hap i madh që është kërkuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ligjvënësit amerikanë përtej linjave partiake.

Blinken tha se vendimi për të njohur Rusinë si një shtet sponsorizues të terrorizmit nga komuniteti global mund të kishte pasoja të padëshiruara.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur më herët shqetësimin se mund të kishte sërish bllokime të dërgesave të grurit nga portet e Ukrainës pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar me Rusinë nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like