KOMENT – Irlanda, Spanja dhe Norvegjia të gatshme të njohin një shtet palestinez

by admin
Spread the love

PARIS, 12 prill /ATSH-AFP/ – Irlanda, Spanja dhe Norvegjia janë të gatshme të njohin një shtet palestinez, së bashku me vendet e tjera, deklaruan të premten kryeministrat e këtyre tre vendeve.

Kreu i qeverisë spanjolle Pedro Sanchez, i cili bën thirrje për njohjen e një shteti palestinez, shkoi sot në Oslo dhe më pas në Dublin, ku mbajti konferenca të përbashkëta shtypi me homologët e tij norvegjezë dhe irlandez, Jonas Gahr Store dhe Simon Harris.

”Ne besojmë se momenti (për të njohur një shtet palestinez) po afrohet”, tha Simon Harris, kryeministër i Irlandës që nga e marta.

”Ne do të donim ta bënim atë me sa më shumë (shtete) të tjera që të jetë e mundur në mënyrë që t’i jepnim peshë vendimit dhe të dërgojmë mesazhin më të fortë”, shtoi ai.

Nga ana e tij, Pedro Sanchez tregoi se Irlanda dhe Spanja ishin “të përkushtuara për të njohur publikisht Palestinën si shtet kur kushtet janë të përshtatshme”.

Irlanda ka thënë prej kohësh se nuk ka kundërshtim për njohjen zyrtarisht të shtetit palestinez nëse do të kontribuonte në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Lufta në Gaza e ka ringjallur këtë çështje.

Edhe Jonas Gahr Store tha se Norvegjia ishte “gati të merrte një vendim për njohjen e një shteti palestinez”.

“Ky vendim duhet të merret bazuar në kohën dhe kontekstin, në koordinim të ngushtë me vendet me të njëjtin mendim. Ne nuk kemi vendosur një afat specifik”, shtoi ai.

Parlamenti norvegjez miratoi një propozim në nëntor, të paraqitur nga partitë në pushtet duke i kërkuar qeverisë të jetë e gatshme të njohë një shtet të pavarur palestinez.

Norvegjia priti gjithashtu bisedimet e para të paqes izraelito-palestineze në fillim të viteve 1990, të cilat çuan në Marrëveshjen e Oslos, ku dy palët pranuan bashkëjetesën paqësore midis dy shteteve të pavarura.

Krahas Norvegjisë dhe Irlandës, kryeministri spanjoll vizitoi Poloninë për të folur për “nevojen për të ecur drejt njohjes së Palestinës”, sipas një zëdhënësi të qeverisë spanjolle.

”Spanja është e angazhuar publikisht për të njohur një shtet palestinez, sa më shpejt të jetë e mundur, kur kushtet janë të përshtatshme dhe në mënyrë të tillë që të ketë ndikimin më të fortë pozitiv të mundshëm në procesin e paqes”, nënvizoi Sanchez.

Sipas medieve që e shoqëruan atë në një turne javën e kaluar në Jordani, Arabinë Saudite dhe Katar, lideri spanjoll përmendi më pas fundin e qershorit si horizontin për një njohje të tillë nga qeveria spanjolle.

Sanchez është shumë kritik ndaj qëndrimit të qeverisë izraelite të udhëhequr nga Benjamin Netanyahu që nga fillimi i konfliktit në Gaza.

Sulmi i Hamasit më 7 tetor shkaktoi vdekjen e 1 170 personave, kryesisht civilë.

Ofensiva e nisur si hakmarrje nga Izraeli ka lënë deri më tani 33 634 të vdekur në Gaza, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like