KOMENT – BE forcon sistemin e azilit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shtetet e BE-së dhe Parlamenti i BE-së kanë rënë dakord për procedura dukshëm më të rrepta të azilit, në një reformë të madhe të sistemit evropian të tij.

Kompromisi i negociuar me mundim dhe i shpallur sot parashikon shtesa dhe shtrëngime të shumta të rregullave ekzistuese me synimin për të reduktuar migrimin e parregullt drejt Bashkimit Evropian.

“Ka qenë një rrugë e gjatë për të arritur deri këtu. Por, ne ia dolëm. Evropa më në fund po e përballon migracionin”, tha nënpresidenti i Komisionit Evropian Margaritis Schinas në X, duke e përshkruar marrëveshjen si një “përparim”.

Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola tha sot se kjo “do të hyjë në histori. Ditën që BE arriti një marrëveshje historike mbi një grup të ri rregullash për menaxhimin e migracionit dhe azilit”.

Reforma ka qenë objekt i një pune intensive që nga viti 2015, kur një numër rekord i emigrantëve mbërritën në BE.

Ndërsa vendet me qeveri të krahut të djathtë, si Hungaria, ishin fuqimisht në favor të shtrëngimit të rregullave ekzistuese, organizatat e ndihmës dhe e majta politike evropiane shprehën shqetësime për degradimin e të drejtave të njeriut.

”Reforma do të sigurojë që të ketë një përgjigje efektive evropiane ndaj kësaj sfide evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Kjo do të thotë se evropianët do të vendosin se kush do të vijë në BE dhe kush mund të qëndrojë, jo kontrabandistët”, shtoi ajo.

Reforma për shembull parashikon një trajtim shumë më të rreptë të njerëzve nga vendet që konsiderohen relativisht të sigurta.

Derisa të merret një vendim ligjor për aplikimin e tyre për azil, azilkërkuesit duhet të strehohen në qendra pritjeje sipas rregullave strikte.

Ndërsa Partia Popullore Evropiane, e cila përfshin grupet politike konservatore në Parlamentin Evropian, e përshëndeti marrëveshjen si një “marrëveshje historike”, ligjvënësit me prirje të majtë të BE ishin të shpejtë për të kritikuar.

“Negociatorët ranë dakord të minojnë të drejtën për të kërkuar azil”, tha ligjvënësi gjerman i BE-së Damian Boeselager, i cili është anëtar i të Gjelbërve Evropianë.

“Ky sistem i ri do të sigurojë që ne të kemi kampe burgu në kufijtë tanë dhe nuk duhet të ishte pranuar kurrë”, tha Boeselager.

Sipas sistemit të ri, shpërndarja e njerëzve që kërkojnë mbrojtje midis 27 vendeve anëtare të bllokut do të riorganizohet sipas një grupi të ri rregullash të quajtura një mekanizëm solidariteti.

Nëse një vend nuk dëshiron të pranojë refugjatë, atyre u kërkohet të ofrojnë mbështetje në një formë tjetër, për shembull përmes kompensimit financiar.

Marrëveshja ende duhet të konfirmohet nga seanca plenare e Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së, gjë që zakonisht konsiderohet një formalitet./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like