Kombëtarja ‘i afrohet’ Gjermanisë, ndaj Polonisë test vendimtar

by admin
Spread the love

Një gol kryevepër i Nedim Bajramit, një barazim i artë dhe llogari të konsoliduara.

Kombëtarja shqiptare ia doli edhe në sfidën e katërt kualifikuese për Europianin e ardhshëm të paraqesë një profil të pëlqyeshëm për opinionin tonë sportiv dhe imponues për atë ndërkombëtar.

Ndonëse në Pragë dhe kundër një kundërshtari historikisht të fortë, kuqezinjtë e drejtuar nga braziliani Silvinho, luajtën një 90-minutësh tejet pozitiv, duke konfirmuar katërcipërisht pretendimet maksimale për të rrëmbyer një biletë për EURO 2024.

Loja dhe mbi të gjitha rezultati marrin vlerësimin më maksimal, pasi vjen si një vazhdimësi e lojërave të mira të luajtura nga sfida hapëse me Poloninë dhe fitoreve bindëse me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.

Skuadra ka krijuar një identitet të sajën, teksa dallojnë individualitetet e harmonizuara, konkurrenca e shëndetshme dhe alternativat cilësore. Statistikat janë një konfirmim i potencialit teknik të kësaj skuadre, konfirmuar nga përqindja e zotërimit të topit edhe në një ndeshje si kjo e fundit ndaj Çekisë, një skuadër e aftë të mbrojë me fanatizëm, por edhe e rrjedhshme në veprimet sulmuese.

Dy rastet e pjesës së parë për Cikalleshin, falë veprimeve të një niveli të lartë teknik nga Asani dhe Asllani, inkursionet dehëse të Bajramit, apo ajo situatë 3 kundër 1 në çastet e fundit të sfidës, mund të na jepnin një fitore të madhe, por në totalin e 90 minutave, pika e marrë ishte plotësisht e merituar dhe një garanci për të ardhmen tonë në këto eliminatore.

Shtatë pikët, në 4 ndeshjet e zhvilluara në gjysmën e rrugëtimit të këtyre kualifikueseve, me të veçantën se tre prej ndeshjeve i kemi luajtur jashtë, janë një garanci se suksesi i EURO 2016 është shumë pranë për t’u përsëritur.

Në katër ndeshjet e mbetura, kuqezinjtë tanë do të ndjejnë mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozërisë, duke filluar nga sfida me favoritët e grupit Poloninë.

Asgjë nuk do të jetë e thjeshtë, por dallohet qartazi besimi që ka fituar skuadra dhe entuziazmi i tifozëve kuqezi, për të synuar biletën e artë për të luajtur sërish në një kompeticion madhor.

Në këtë pikë, fati është totalisht në duart dhe këmbët tona dhe kjo kombëtare ka konfirmuar dhe ka bindur edhe më skeptikët, se ka cilësinë dhe autoritetin e duhur për të tentuar një kualifikim, që në letër ndaj Polonisë dhe Çekisë dukej teorikisht i pamundur.

Prova e parë për ambiciet tona maksimale dhe ëndrrën për të luajtur në kampionatin europian në Gjermani do të jenë 90-të minutat ndaj Lewandowskit me shokë në kështjellën tonë kuqezi “Air Albania” , ku një fitore e mundshme do të siguronte praktikisht çështjen e kualifikimit të shumëdëshiruar.


Top Channel

You may also like