Kombet myslimane e dënojnë djegien e Kuranit në Danimarkë

by admin
Spread the love

Iraku dhe disa shtete tjera me shumicë myslimane, e kanë dënuar ashpër djegien e Kuranit të hënën nga një grup i quajtur “Patriotët Danezë” jashtë Ambasadës së Irakut në Kopenhagë.

Ky grup i ekstremit të djathtë e ka transmetuar drejtpërdrejt kryerjen e një akti të ngjashëm edhe të premten në Facebook.

Rreth 1.000 protestues në Bagdad kanë tentuar të hyjnë në Ambasadën e Danimarkës, pas incidentit.

Ministria e Jashtme e Irakut ka thënë se veprime të tilla lejojnë që “virusi i ekstremizmit dhe urrejtjes” të përbëjë “kërcënim të vërtetë për bashkëjetesën paqësore të shoqërive”.

Myslimanët e konsiderojnë përmbajtjen e Kuranit si fjalë të Zotit, dhe çdo dëm që i shkaktohet librit me qëllim, konsiderohet mungesë respekti dhe ofendim i rëndë për ta.

Javën e kaluar, turmat ia kanë vënë flakën Ambasadës së Suedisë në Bagdad, pas planeve për djegie të Kuranit në Stokholm.

Akti i fundit që ka ndodhur në Kopenhagë ka nxitur marshe edhe në kryeqytetin e Jemenit, Sana, ku është shprehur zemërim i thellë për Danimarkën dhe Suedinë, që kanë lejuar akte të tillë.

Turqia e ka konsideruar incidentin si “sulm të neveritshëm” ndaj Kuranit, derisa Ministria e Jashtme e Algjerisë i ka ftuar për intervistë ambasadorët e Danimarkës dhe Suedisë për t’i dënuar aktet.

Edhe në Iran ka pasur protesta të shtunën lidhur me këto akte.

Mediat lokale në Katar kanë raportuar se tregu më i madh i shtetit, Souq Al Baladi i ka larguar të gjitha produktet suedeze nga vitrinat, si shenjë proteste.

Danimarka e ka dënuar djegien e Kuranit duke thënë se “këto akte provokative dhe të turpshme nuk e përfaqësojnë Qeverinë daneze.

Autoritetet e Suedisë e kanë dënuar djegien e librit të shenjtë dhe aktin e kanë konsideruar si islamofobik. /REL


Top Channel

You may also like