KOM sot në protestë kundër ligjeve për barazi gjinore dhe evidencë amë

by admin
Spread the love

Trençevska: Ligji për barazi gjinore nuk ka të bëjë me LGBT

Kisha Ortodokse Maqedonase sot do të protestojë kundër propozim ligjeve për barazi gjinore dhe evidencën amë, të cilat i vlerëson si kërcënim serioz për shoqërinë, njofton KlanM.

Nga KOM-i thonë se, protesta e tyre nuk është kundër askujt por vetëm kundër përmbajtjes së propozim ligjeve. Peshkopi Jakov nëpërmjet një video paraqitje të publikuar në prag të protestave, u ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

“Edhe kur vendosëm që në një shoqëri demokratike të mblidhemi edhe atë jo në hapësirë publike, për në tonë, në kishën tonë, shohim përpunim të skenarit të vjetër të mirë ku agresori paraqitet sërish si viktimë. Pikërisht këto janë thirrjet që i dëgjojmë nga mbrëmë nga disa organizata joqeveritare se tubimi ynë do të rrezikojë dikë”, thotë peshkopi Jakov.

Ndërkohë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, siç percjell KlanM, duke komentuar këtë protestë, tha se është e drejtë legjitime e çdokujt që të protestojë, megjithatë, ka shtuar ajo, është legjitime edhe të thuhet e drejta për dy ligjet. Ajo tha se dy ligjet duhet të trajtohen ndaras, sepse ka lindur një keqinterpretim kur është bërë ndërlidhja e ligjin për barazi gjinore me atë për për evidencë amë.

“Ligji për evidencë amë e trajton identitetin gjinor, përkatësisht mundësinë e një personi që është transgjinor të mund ta ndërrojë emërtimin, aty ku shënohet gjinia – femër apo mashkull. Ligji për barazi gjinore nuk është i njëjtë me ligjin për evidencë amë, për këtë duhet t’i ndajmë kur flasim për këto dy ligje”, tha Jovanka Trençevska, Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

E pyetur nëse Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila është propozuese e ligjit për barazi gjinore, do t’i nënshtrohet presionit të kishës, ajo siç njofton KlanM, tha se, ligji është ende në proces të konsultimeve dhe nuk është as në procedurë qeveritare as në atë parlamentare.

“E vërteta e ligjit për barazi gjinore është se, me të as nuk trajtohet ndryshimi i gjinisë, as nuk trajtohen martesat e së njëjtës gjini, por fusha e vetme në të cilën është i fokusuar është përmirësimi i pozitës së grave dhe mundësitë e barabarta të burrave dhe grave”, tha Trençevska.

Propozim ligjet në fjalë kundërshtohen edhe nga Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, njofton KlanM.

Përmes një reagimi me shkrim, nga BFI kanë thënë se, ligjet në fjalë që janë në kundërshtim me parimet fetare nuk do të përkrahen dhe se për ta, është e papranueshme çdo një nismë, ide apo parim juridik që bie ndesh me natyrën njerëzore./KlanMacedonia

You may also like