KOK, keqardhje që Federata Evropiane e Karatesë nuk reagoi ndaj Qipros

by admin
Spread the love

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shprehur keqardhje që Federata Evropiane e Karatesë nuk ka marrë masa ndaj shtetit të Qipros për mosrespektin e treguar ndaj Kosovës në në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U-21, që nisi sot në Larnaca e ku Kosova nuk u respektua si shtet. 

Ekipi përfaqësues i Kosovës ka bojkotuar garat pasi është mohuar e drejta për përfaqësim me simbolet shtetërore.

“Është për keqardhje gjesti i sotëm i qeverisë së Qipros, e cila nuk lejoi karateistët tanë të garojnë të barabartë në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U-21, që nisi sot në Larnaca.

Edhe më keq është kur ndaj këtij vendimi nuk mori masa Federata Evropiane e Karatesë (EKF), e cila u dorëzua përballë autoriteteve vendase.

Sidoqoftë, KOK përgëzon vendimin e Federatës së Karatesë së Kosovës dhe komplet ekspeditës, që vendosi të bojktojë kampionatin, duke mos lejuar të diskriminohen dhe të garojnë pa simbolet shtetërore, ashtu siç kërkuan qipriotët.

KOK do të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtij vendimi diskriminues, i cili është kryekëput politikë dhe që nuk ka të bëjë me sportin”, ka shkruar KOK.

You may also like