Kobra në këmbët e pilotit, detyron uljen emergjente të avionit

by admin
Spread the love

Një pilot i quajtur Rudolf Erasmus, u detyrua të ekzekutonte një ulje emergjente, pasi zbuloi një pasagjer të padëshiruar në mes të fluturimit në bordin e tij Beechcraft Baron 58, të hënën më 3 prill.

Duke folur për mediat e huaja, Erasmus tha se po udhëtonin me katër pasagjerë në avion, kur ndjeu diçka të ftohtë në ijë. Më pas ai vuri re se ishte një kobër Kepi, një nga gjarpërinjtë më helmues të Afrikës së Jugut.

“Ne kishim fluturuar nga Worcester dhe ndaluam në Aeroportin Ndërkombëtar Bram Fischer në Bloemfontein për të furnizuar me karburant dhe për të marrë diçka për të ngrënë. Hipëm përsëri dhe ishim rrugës për në Aeroportin Kombëtar Wonderboom, me destinacionin përfundimtar aeroportin e vjetër Nelspruit”, tha Erasmus.

Erasmus tha se fillimisht kishte menduar se ishte shishja e tij e ujit që i rridhte, derisa shikoi poshtë dhe pa kokën e një gjarpri, atë që ai e konsideroi si një kobër Kepi.

“Po tërhiqej poshtë karriges sime. Unë qëndrova në heshtje për një ose dy minuta, sepse nuk doja që pasagjerët të hynin në panik. I informova se një gjarpër ishte nën sediljen time në kabinë dhe më duhej ta ulja avionin sa më shpejt të ishte e mundur. Për fat të gjithë qëndruan të qetë”, u shpreh Erasmus.

Erasmus tha se ai kontaktoi autoritetet përkatëse, të cilat e lejuan atë të ulej në aeroportin më të afërt në Welkom.

Ai tha se gjarpri ishte shumë i qetë ndërsa ishte në ajër dhe se iu deshën 10 deri në 15 minuta për të kryer uljen.

Pas uljes, pasagjerët zbritën të parët. Erasmus ishte i fundit që doli nga avioni.

“Unë qëndrova në krahun e avionit dhe e lëviza sediljen përpara që të dalloja gjarprin. Ishte mbështjellë nën ndenjësen time”.

Ai tha se gjarpri ende nuk është gjetur dhe se ai vetë është ende në Welkom duke pritur një inxhinier që të vijë dhe të heqë sediljet dhe panelet nga avioni për ta gjetur atë.

Mendohet se gjarpri ishte zhvendosur në një vend tjetër në aeroplan, ndërsa një gjuajtës gjarpërinjsh, i cili ishte thirrur për të ndihmuar, ishte rrugës për në aeroport.


Top Channel

You may also like