Kina sanksionon dy kompani amerikane për shitje të armëve në Tajvan

by admin
Spread the love

Pekini zyrtar bëri të ditur më 15 shtator se ka vendosur t’i sanksionojë dy kompani amerikane, Lockheed Martin dhe Northrop Grumman, për rolin e tyre në furnizimin me armë për Tajvanin.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, ndihmon në furnizimin e Tajvanit me armë për mbrojtjen e vendit.

Në të kaluarën, administratat amerikane e kishin bërë këtë përmes shitjeve dhe jo ndihmës direkte. Por, në gusht, Uashingtoni e miratoi për herë të parë ndihmën e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për Tajvanin në kuadër të një programi të ndihmave drejt qeverive të huaja.

“Pavarësisht kundërshtimit të fortë të Kinës, qeveria e SHBA-së është e vendosur t’i ofrojë armë Tajvanit… duke dëmtuar seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe duke shkuar gjithnjë e më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme të armatosjes së Tajvanit”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Nin, në një konferencë për media.

Ajo tha se Lockheed Martin ishte kompania kryesore e kontraktuar për shitjen e armëve amerikane në Tajvan që u zhvilluan më 24 gusht dhe se Northrop Grumman kishte marrë pjesë në shitje “shumë herë”.

“Kina ka vendosur t’i sanksionojë dy kompanitë e mësipërme ushtarake amerikane”, shtoi ajo.

Mao tha se Kina u kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndalonin shitjen e armëve në Tajvan.

“Përndryshe, ajo do të përballet në mënyrë të pashmangshme me një përgjigje të vendosur dhe reagim të fortë nga Kina”, shtoi ajo.

Pakoja e armëve në vlerë prej 80 milionë dollarësh e miratuar në gusht ishte e vogël në krahasim me vlerën e shitjeve të fundit. Por, ajo ishte hera e parë që ndihma ishin dhënë për Taipein në kuadër të programit të financimit të jashtëm ushtarak, i cili përgjithësisht përfshin grante ose hua për vendet sovrane.

Kina, një fuqi diplomatike dhe ushtarake, e pretendon ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit si pjesë të territorit të saj dhe është zotuar ta pushtojë atë, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Në korrik, SHBA-ja zbuloi një pako të ndihmave ushtarake në vlerë prej 345 milionë dollarësh, e krijuar për ta forcuar shpejt kapacitetin e Tajvanit për të zmbrapsur një pushtim kinez.

Mjetet në këtë pako, për të cilën një zyrtar tha se përmbante pajisje të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit dhe municione të armëve të vogla – do të tërhiqeshin nga rezervat e vetë Uashingtonit, në mënyrë që të mund të dorëzohen në një afat kohor më të shpejtë se zakonisht.

Njoftimi i sanksioneve të fundit nga Kina vjen pas ditëve të tensioneve të shtuara në rajon. Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se 68 avionë kinezë dhe dhjetë anije detare u zbuluan pranë ishullit midis mëngjesit të 13 shtatorit dhe mëngjesit të 14 shtatorit. Pekini, në vitet e fundit, ka shtuar presionin ndaj Tajvanit.

Numri i fluturimeve të avionëve luftarakë rreth ishullit u rrit në mënyrë drastike pas vizitës së gushtit të kaluar nga Nancy Pelosi, atëkohë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. /REL


Top Channel

You may also like