Kina i kërkon BE-së që të mos “lëkundet”: Sqaro marrëdhënien me Pekinin!

by admin
Spread the love

Bashkimi Evropian nuk duhet të “lëkundet” dhe duhet ta “sqarojë” marrëdhënien strategjike me Pekinin, ka thënë kryediplomati kinez, Wang Yi gjatë një takimi me homologun e tij të bllokut evropian, Josep Borell, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, ka thënë të enjten se planifikon t’i ulë tensionet në lidhjet me Kinën.

Liderë tjerë të BE-së – të shqetësuar nga ndikimi kinez dhe marrëdhënia e saj e afërt me Rusinë – kanë bërë thirrje për uljen e varësisë ndaj Pekinit.

“BE-ja duhet… të sqarojë pozicionin e partneritetit strategjik në mes të të dyja palëve dhe të promovojë marrëdhënie Kinë-BE, për të ecur përpara”, i ka thënë Wang, Borrellit, në një takim të zhvilluar në kuadër të një samiti të organizuar në Xhakarta.

“Nuk duhet të ketë lëkundje, e aq më pak inkurajim të fjalëve dhe veprimeve që na kthejnë mbrapa”, është cituar të ketë thënë Wang.

Disa vende të BE-së shqetësohen për rolin e Kinës dhe nisjen e një lufte tregtare, derisa të tjerë besojnë se tani është koha për të vepruar, për të mbrojtur sigurinë ekonomike të bllokut.

Brukseli dëshiron ta përcaktojë qasjen e tij ndaj Kinës, duke i balancuar shqetësimet për varësi të madhe ndaj këtij shteti, por edhe për t’i ruajtur lidhjet me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë në janar se qasja e BE-së ndaj Kinës është më shumë “shtensionuese dhe jo shkëputëse”, meqë blloku ende synon të bëjë tregti me Pekinin.

“Nuk ka konflikte në interesat kyçe në mes të Kinës dhe BE-së”, ka thënë Wang./REL


Top Channel

You may also like