KIEV – Zelensky: Rusia planifikon ”shkërmoqjen” e Ukrainës me dronë iranianë

by admin
Spread the love

KIEV, 3 janar /ATSH/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se kishte marrë raporte të inteligjencës që sugjeronin se Moska i nisi sulmet duke përdorur dronët Shahed të prodhuar nga Irani, shkruan BBC.

Duke folur nga Kievi në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se Rusia synon të “shkërmoqë” Ukrainën me një valë të qëndrueshme sulmesh me dron.

“Ne duhet të sigurojmë dhe do të bëjmë gjithçka për këtë, që ky qëllim i terroristëve të dështojë si të gjithë të tjerët. Tani është koha kur të gjithë të përfshihemi në mbrojtjen e qiellit dhe duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm”, shtoi Zelensky.

Sulmet me dronë rusë në Ukrainë duket se janë shtuar ditët e fundit, me Moskën që ka nisur sulmet ndaj qyteteve dhe termocentraleve në të gjithë vendin gjatë tre netëve të fundit.

Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën energjetike të Ukrainës për disa muaj, duke shkatërruar termocentralet dhe duke zhytur miliona në errësirë ​​gjatë dimrit të ftohtë të vendit.

Zelensky tha se mbrojtja ajrore e Ukrainës kishte rrëzuar tashmë më shumë se 80 dronë të prodhuar nga Irani në ditët e para të vitit 2023.

Ukraina ka konfirmuar se ka kryer një sulm në rajonin e pushtuar Donetsk, për të cilin më parë pretendonte se kishte vrarë 400 ushtarë rusë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like