KIEV – Zelensky: Armëpushimi i Putinit një dështim

by admin
Spread the love

KIEV, 8 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e konsideron një dështim armëpushimin e njëanshëm të urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin për festën e Krishtlindjeve Ortodokse.

“Bota mund të shihte edhe një herë se sa të rreme janë deklaratat nga Moska në çdo nivel”, tha Zelensky në një video-mesazh, pak para përfundimit të armëpushimit 36-orësh, siç u shpall nga Putini dhe u hodh poshtë edhe nga Perëndimi.

“Ata thanë diçka për një armëpushim të supozuar, por realiteti është se predhat ruse kanë goditur sërish Bakhmutin dhe pozicionet e tjera të Ukrainës”, tha Zelensky.

“Edhe një herë është konfirmuar se vetëm dëbimi i pushtuesve rusë nga toka ukrainase dhe eliminimi i të gjitha mundësive që Rusia të ushtrojë presion mbi Ukrainën dhe gjithë Evropën do të thotë rivendosje e një armëpushimi, sigurie dhe paqeje”, theksoi ai.

Putin kishte urdhëruar në mënyrë të njëanshme një armëpushim 36-orësh të enjten, të caktuar për festën e Krishtlindjes që shumë të krishterë ortodoksë festojnë më 7 janar.

Kievi e refuzoi ofertën e armëpushimit duke e konsideruar atë si “hipokrizi”, “propagandë” dhe ”një dredhi taktike”.

Rusia tha se Ukraina bombardoi pozicionet e saj të vijës së parë, duke i detyruar trupat të kthenin zjarr pavarësisht armëpushimit, i cili zyrtarisht përfundoi dje në orën 21:00 GMT.

Autoritetet ukrainase thanë se granatimet ruse vranë dy civilë në qytetin e kontestuar ashpër të Bakhmutit, në rajonin lindor të Donetskut.

Luftimet të tjera pati edhe në Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhya, sipas Moskës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like