KFOR, qëndrim mbi kapjen nga serbët të tre policëve kosovarë – Shqip

by admin
Spread the love

KFOR është shprehur më në fund për rastin e kapjes nga serbët të tre policëve kufitarë të Kosovës, duke treguar paaftësi në përcaktimin nëse kjo ka ndodhur në territorin kosovar apo atë serb.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, KFOR thotë se mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës në momentin e arrestimit.

Në Bare, në lokacionin ku ndodhur ngjarja, KFOR thotë se institucionet e Kosovës ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in.

“Iu rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”, thuhet në komunikatë.

KFOR gjithashtu nxiton të kujtojë se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

“U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”, vijon komunikata.

KFOR-i thotë se mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. /tesheshi.com/

 

 

You may also like