Kërkohet shtim i familjeve strehuese e strehimoreve

by admin
Spread the love

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes nga organizatat dhe familjet strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore, kërkohet më shumë mbështetje për këta fëmijë, por edhe shtim të familjeve strehuese sidomos në komunat të cilat nuk kanë këso lloj familjesh.

Sfidat me të cilat po ballafaqohen këto OJQ, por edhe familjet strehuese ato i paraqitën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me ç’rast anëtarët e këtij komisioni shprehën gatishmërinë për mbështetje për të ecur përpara ligjet që rrisin mirëqenien e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, por edhe familjeve strehuese.

Drejtoresha e Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadete Krasniqi u shpreh përmes fushatës me moton “Hape derën, qele zemrën, bëhu familje strehuese” kërkojnë rritje të numrave të familjeve strehuese, raporton Kosovapress, transmeton Klankosova.tv.

Krasniqi theksoi se aktualisht familjet e tilla që strehojnë fëmijët pa përkujdesje prindërore nuk janë të shtrira në gjithë territorin e Kosovës.

Drejtoresha e OFAP kërkoi që sa më shpejt të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ për strehim familjar.

“Qëllimi i kësaj fushate është që të bëjmë thirrje tek të gjithë qytetarët që t’i hapin dyert dhe zemrat e tyre dhe të mirëpresin fëmijët të cilët janë në nevojë, fëmijët pa përkujdesje prindërore….Moto e fushatës është ‘Hape derën, qele zemrën, bëhu familje strehuese’ e kjo është një ndër arsyet që në bashkëpunim me KOMF dhe SOS fshatrat e hapim këtë fushatë e cila i dedikohet të gjithë qytetarëve dhe të gjitha familjeve që ta mbështesin një ndër format e mbrojtjes së fëmijëve të kujdesit alternativ që është strehimi. Kjo formë e mbrojtjes në Kosovë është që nga viti 2002 dhe në këtë periudhë të shumë viteve ka pas shumë familje strehuese të cilat janë kujdesur për këta fëmijë në nevojë dhe sot në gjithë këtë rrugëtim kemi nevojë që ende ta fuqizojmë këtë formë të mbrojtjes, kemi nevojë që ende të kemi familje të reja strehuese…Për momentin i kemi 36 familje strehuese në tërë Kosovën dhe nga to aktive janë 25, por kemi nevojë që ta zhvillojmë këtë formë të mbrojtjes në të gjitha komunat”, theksoi ajo.

Remzie Krasniqi nga SOS Fshati derisa theksoi sfidat me të cilat ballafaqohen si familje strehuese, kërkoi nga shteti më shumë angazhim për t’u dal në mbështetje këtyre fëmijëve.

Si sfidë kryesore ajo identifikoi mbështetjen për fëmijët pas moshës 18 vjeçare, për çka tha se në mungesë të mbështetjes nga institucionet këta fëmijë në këtë moshë po braktisen përsëri.

“Një prej sfidave është strehimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe ata pas moshës 18 duke marr parasysh se nuk përkrah pas moshës 18 vjeçare familjet strehuese dhe SOS familjet sfidohen për përkrahjen duke mos pas përkrahjen nga institucionet qendrore dhe lokale ajo mund të vije tek një braktisje e dytë. Edhe sigurisht që kjo është një prej formave që parashihet me legjislaturë të re…që përgjegjësitë në nivel komunal të jenë me vend dhe që komunat të gjejnë format e ndryshme për përkrahje qoftë me banim, strehim social, bursa ose mirëmbajtje mujore për shpenzime të ndryshime… Në ligj ne e kemi futur sipas Konventës të udhëzuesit ndërkombëtar për kujdes alternativ që jetesa e pavarur e mbikëqyrur të shtyhet deri në moshën 26 vjeçe me qëllim që të jetë një kohë më e gjatë që varësisht se si qendrat dhe profesionistët që përkujdesen për këtë kategori ta vlerësojnë se deri kur ka nevojë me u përkrah një i ri”, theksoi ajo.

Drejtoresha e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve, Donjeta Kelmendi, u shpreh se përmes shënimit të kësaj dite bëjnë thirrje për paraqitjen e familjeve të reja strehuese sidomos në ato komuna ku nuk ka të tilla familje.

 

“Këtë vit, Ditën e Familjes kemi vendosur që bashkërisht t’ia kushtojmë strehimin familjar, familjeve strehuese me qëllim që t’i sensibilizojmë qytetarët për paraqitjen e familjeve të reja meqenëse ka nevojë për familje strehuese të reja në ato komuna ku nuk ka familje strehuese….Qëllimi i dytë ka të bëjë me Projektligjin për shërbime sociale e familjare, i cili është finalizuar pothuajse komplet dhe kemi marr zotimin nga MD që deri në qershor të këtij viti ai si projektligj do të procedohet në qeveri”, theksoi ajo.

Familja strehuese nga Obliqi e përfaqësuar nga Fatmire Musliu e cila theksoi se këtë mbrojtje për fëmijët pa përkujdesje e bënë në mënyrë vullnetare vetëm që të jetë pranë kësaj kategorie të fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje.

Edhe Musliu kërkoi fuqizim të familjeve strehuese me qëllim që edhe fëmijët pa përkujdesje prindërore të trajtohen barabartë.

“Nga momenti që e pranoi, ai ka me qenë fëmija im në çdo moment që e takoj ose e shoh ose e ndjej që e kam diku një fëmijë tjetër që nuk është i pranishëm në shtëpinë time. Ne si shoqëri duhet të bëjmë edhe shumë më tepër për tu fuqizuar familjet strehuese për t’i mbrojtur këta fëmijët jo vetëm sot që është Dita Ndërkombëtare të Familjes duhet të punohet më tepër për mirëqenien e këtyre fëmijët që të rritën në mënyrë sa më të barabartë“, theksoi ajo.

E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha u shpreh se për OJQ dhe familjet strehuese duhet të ketë mbështetje reale.

 

“Është e qartë që ne si deputet kur të procedohet një projektligj nëse ata që afektohen nga ai ligj janë të kënaqur, për neve është shumë e lehtë që ta procedojmë më shpejt….e keni mirënjohjen e thellë, por kjo nuk mjafton ju duhet të keni përkrahjen dhe mbështetjen reale”, theksoi ajo.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shpallur 15 majin Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

You may also like