Këngëtari i dënuar për shmangie të tatimit del me një ‘propozim’ për qeverinë

by admin
Spread the love

 

 

Këngëtari Afrim Muqiqi, i dënuar për shmangie tatimi në të kaluarën, ka kërkuar kushte me të mira financiare për Policinë e Kosovës.

Ai, duke folur në televizionin Kanal 10 të mërkurën, është shprehur shumë i zhgënjyer me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ka thënë se disa prej tyre nuk i ka dëgjuar kurrë të marrin fjalën në kuvend.

Tutje, ai doli me një propozim për ekzekutivin: rrogat e policëve të bëhen sa të deputetëve, ato të deputetëve të ulen në nivelin e të policëve.

“Policia e Kosovës na ka bërë krenar, por jo me marre e me çitë nëpër foto. Ata nuk kanë nevojë për kësi përkrahje, ata kanë nevojë për paga të dinjitetshme. E kam dhënë para disa muajve një propozim. Pagat e deputetëve të Kosovës duhet të shndërrohen në paga të policëve të Kosovës, dhe anasjelltas. Ka deputetë që s’i kom ni kurrë. Nuk është e drejtë. Dëgjova që deputetë të Kuvendit të Kosovës paskan marrë edhe asistenta, e kjo është turpi i botës”, tha Muçiqi ndër të tjera.

Muçiqi, ish-aksionar i klubit të futbollit Prishtina dhe këngëtar njëkohësisht, ka pasur ballafaqime me drejtësinë në të kaluarën.

Ai i ishte shmangur tatimit të shtetit për vite me radhë dhe ishte dënuar për 15 mijë e 857 euro.

Por dënimi ndaj Muçiqit mund të kishte qenë edhe më i lartë, nëse Prokuroria e Shtetit do t’i trajtonte më seriozisht raportet e Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK), të cilat dyshohet se i kishte shpërfillur një prokuror i rastit.

Prokurori i rastit kishte bërë marrëveshje më Muçiqin që dënimin me burg prej 5 muajsh ta paguante me para./Botapress.info/

 

You may also like