Katër shqiptarë në parlamentin e ri të Malit të Zi, deputeti Camaj: Jemi faktor vendimmarrës

by admin
Spread the love

Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme në Mal të Zi shqiptarët kanë siguruar katër mandate në Parlament.

Dy mandate deputetësh siguroi koalicioni “Forumi Shqiptar” i Nik Gjeloshajt dhe një vend në Kuvend e mori Genc Nimanbegu me koalicionin “Aleanca Shqiptare”. Gjithashtu edhe Meto Zenga do të jetë pjesë e parlamentit në koalicionin me Gjukanoviç.

Nikollë Camaj, deputeti më i ri në parlamentin e Malit të Zi tha se dy subjektet shqiptare kanë arritur të nxjerrin 3 deputetë e së bashku me deputetin që është në koalicion me PDS, përbëjnë 4 deputetë në Parlamentin e Malit të zi dhe do jenë një faktor vendimmarrës.

“Është një sukses i madh për të ardhmen  e shqiptarëve pasi me një numër të tillë të deputetëve jemi një faktor më vendimmarrës edhe në qeverinë e ardhshme.

Ky numër është shumë me rëndësi pasi shqiptarët e kanë parë se e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet shqiptare janë partitë shqiptare, tashmë jemi katër deputetë nga 83, që do të thotë se jemi faktor në parlamentin e Malit të Zi dhe do ishte mirë që këta shqiptarë të jenë të përbashkët në vendime”, tha Nikollë Camaj për Euronews.

Ndërsa Lëvizja Europa Tani duket se ka nisur festën pasi më shumë se 90% e kutive janë numëruar në Malin e Zi.

Sipas rezultateve deri më tani Evropa Tani e Milojko Spajiç kryeson garën me 25.5 përqind.

Blloku opozitar i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve ka 23.8 për qind, ai pro-serb Për të Ardhmen e Malit të Zi ka 14.7 për qind, ndërsa koalicioni i URA dhe Mali i Zi Demokratik ka 12.3 për qind.

Partia Boshnjake mori 6.9 për qind, ndërsa Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate kalojnë gjithashtu pragun për të hyrë në parlament.

 

You may also like