“Katana 138”, çfarë simbolizon tatuazhi i Mirlind Dakut – Shqip

by admin
Spread the love

Kombëtarja shqiptare na dhuroi emocione të dielën me fitoren 2-0 përballë Polonisë. Goli i parë u shënua nga Jasir Asani, ndërsa i dyti, ai i qetësisë, u shënua nga sulmuesi Mirlind Daku.

E ky i fundit nuk i shmangu emocionet pasi shënoi golin e tij të parë për kombëtaren. Sulmuesi i lindur në Gjilan të Kosovës hoqi fanellën dhe shkoi të festonte përpara tifozëve. Por ajo që bëri përshtypje ishte tatuazhi në shpatullën e tij: Katana 138.

Por çfarë simbolizon kjo?

“Katana” ka qenë pseudonimi i një prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Ramadani. Ramadani ka qenë edhe komandant i zonës së Kosharës.

Më 1 Prill 1999, “Katana” ra dëshmor gjatë një luftimi ballë për ballë me forcat serbe. Ai mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua në Prill të vitit 1999.

Beteja e Koshares njihet edhe si beteja ku u thye kufiri. Në shenjë simbolike, Ushtarët e UÇK-së rrëzuan gurin e kufirit që ndante Kosovën me Shqipërinë. Prandaj edhe në tatuazhin e Dakut është pikturuar edhe një këmbë me një piramidë të rrëzuar të kufirit.

Në këtë betejë, ushtria jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë-Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largohen nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.

Ramadani ishte komandant i “Brigadës 138” deri në ditën e rënies së tij. Pas përfundimit të luftës ai u shpall Hero i Kosovës. /tvklan.al

You may also like