Kalimtarja e armatosur vret sulmuesin që qëllonte në festën e ditëlindjes në Virginia (fotot)

by admin
Spread the love

Një grua amerikane ka qëlluar për vdekje një burrë që hapi zjarr me automatik ndaj një turme njerëzish në Charleston, SHBA.

Dennis Butler, një 37-vjeçar me precedentë të shumtë kriminalë, u vra pasi sulmoi një grup prej rreth 40 njerëzish që merrnin pjesë në një festë ditëlindjeje.

Zëdhënësi i policisë Tony Hazelett tha se reagimi i shpejtë i gruas mund të ketë parandaluar një masakër.

Ngjarja vjen mes debatit kombëtar të SHBA për armët pas masakrës në shkollën në Texas.

Butler kishte ardhur në zonë mbrëmjen e të mërkurës kur dikush i kishte kërkuar të ulte shpejtësinë sepse kishte fëmijë që po luanin.

Pas një konfrontimi të vogël ai ishte kthyer me një automatik AR-15 dhe hapi zjarr ndaj festës që po zhvillohej jashtë një pallati banesash në qytet.

Zyrtari tha se gruaja që vrau sulmuesin, nuk kishte eksperiencë me forcat e rendit dhe nuk është identifikuar publikisht.

“Ajo është vetëm një anëtare e komunitetit që sipas ligjit mbante armën e saj. Dhe në vend që të largohej me vrap nga kërcënimi, ajo u përball me kërcënimin dhe shpëtoi shumë jetë njerëzish”.

Gruaja kishte qëndruar në vendngjarje pas incidentit dhe po bashkëpunon me autoritetet.

Policia tha se ndaj saj nuk do të ngrihen akuza.

Policia tha se Butler u gjet i vdekur në vendngjarje me disa plagë arme zjarri.

Oficeri nuk tregoi sesi kishte gjetur Butler automatikun e tij – pasi nuk lejohej ta mbante si një ish-i dënuar më parë.

Vrasja vjen pas masakrës së adoleshentit që vrau 21 njerëz në një shkollë fillore në Texas me një automatik AR-15 që ishte blerë në mënyrë të ligjshme.

Sulmi ishte më i rëndi i llojit të tij në një dekadë në SHBA dhe ka rindezur debatin e zotërimit personal të armëve, që mbrohet nga kushtetuta e SHBA.