Ka spektakël, por jo fitues në sfidën Juve-Roma! Torino ngjitet në krye të Serie A

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Super ndeshja e ditës së sotme në Serie A, përballja mes Juventusit dhe Romës, që është transmetuar live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo, ka dhuruar spektakël dhe gola, por jo fitues.

Përfundon 1-1 në Torino një ndeshje plot emocione, që në fund të 90 minutave nuk ka kënaqur as Allegrin dhe as Mourinhon.

Bardhezinjtë zhbllokojnë sfidën me Vlahovic pas vetëm 76 sekondash. Sulmuesi serb shënon një gol të bukur nga goditja e dënimit. Juve luan më mirë dhe Locatelli shënon edhe golin e dytë në minutën e 25-të, por ndërhyn VAR dhe goli anulohet për një prekje të topit me dorë nga Vlahovic. Mbyllet me avantazhin minimal të bardhezinjve pjesa e parë.

Roma reagon në pjesën e dytë dhe arrin të gjejë golin me Abraham, që shënon pas një pasimi të bukur të Dybala. Ndonëse të dyja skuadrat mundohen që të gjejnë golin e fitores, rezultati i supersfidës nuk ndryshon deri në fund. Roma ngjitet në kuotën e 7 pikëve, ndërsa Juventusi ka 5 pikë në tabelën e klasifikimit.

Në ndeshjen tjetër të ditës në Serie A, Torino ka fituar në transfertë 2-1 përballë Cremoneses. Një autogol i Bianchetti zhbllokon sfidën dhe miqtë e shohin veten në avantazh. Radonjic dyfishon shifrat për Torinon në pjesën e dytë, ndërsa goli i vendasve me Sernicolan vjen shumë vonë dhe nuk mund të rifutë në ndeshje Cremonesen. Pas këtij suksesi Torino ngjitet në kuotën e 7 pikëve, ndërsa për Cremonesen vjen humbja e tretë radhazi në kampionat. / Oversport.tv

Foto: JuventusFC Twitter

You may also like