Ka gjasa që ASH-ja të bëhet pjesë e Qeverisë?! – Shqip

by admin
Spread the love

ASH: PAS KUVENDIT TË PARTISË DO TA SHPALOSIM VENDIMIN TONË

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski tha sot se ekzistojnë gjasa që Aleanca për Shqiptarët të bëhet pjesë e Qeverisë, megjithatë, ajo do të varet nga marrëveshja politike. Kovaçevski tha se, dyert e Qeverisë janë të hapura për të gjitha partitë politike të cilat janë për konceptin evropian të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht që duan të jenë pjesë të aleancës për Evropën.

“Aleanca për Shqiptarët ka shprehur vullnet politik për konceptin evropian të shtetit. A do të hyjë në Qeveri? Po ka gjasa për këtë. A do të ndodhë kjo, varet nga marrëveshja politike kuptohet, i cili ka çdoherë dy aspekte, njëri është programor, tjetri është kadrovik dhe derisa nuk ndodhë diçka e tillë, nuk mundemi të flasim me siguri se do të ketë edhe një partner qeveritar. Megjithatë, unë kam thënë që para tre muajve se, të gjithë ata që duan të kyçen drejt konceptit për Maqedoni evropiane, tani është koha ta bëjmë atë, sepse prej ne varet anëtarësimi më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian” – tha Dimitar Kovaçevski.

Çështjen e hyrjes së ASH-së në qeveri e ka riaktualizuar së fundmi lideri i kësaj partie, Arben Taravari, i cili dy ditë më parë tha se, ka gjasa që të hyjnë në Qeveri dhe se po zhvillojnë në komunikim të vazhdueshëm. Të pyetur sot nëse, po zhvillohen negociata në këtë drejtim dhe nëse pritet ndonjë takim tjetër me Kovaçevskin, nga kjo parti thanë për TV Klan M se, pas kuvendit të partisë do të shpalosin vendimin për hyrje në Qeveri.

“Të shtunën kemi kuvendin e partisë ku do të themelohen organet tjera partiake përfshirë edhe Kryesinë Qendrore dhe kjo mbetet prioritet i kësaj jave. Më pastaj do të shqyrtohen të gjitha temat tjera përfshirë edhe çështja e hyrjes në Qeveri” – thonë nga ASH-ja.

Lajmin për hyrjen e ASH-së në Qeveri nuk e kanë pritur mirë të gjithë partnerët qeveritarë. Partia Lidhja Demokrate e Pavle Trajanovit, është shprehur kundër zgjerimit të shumicës parlamentare, duke vlerësuar se kjo, do të rrisë pakënaqësinë te qytetarët dhe do të shkel parimet kushtetuese për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive etnike në pushtet. Ndërsa kundër hyrjes së ASH-së në Qeveri, është shprehur edhe grupi i të pakënaqurve të BDI-së. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

You may also like